Mitrovicë: Ardhja e çetnikëve ka për qëllim konfliktin ndëretnik…
Mitrovicë, 23 qershor 2012 (14.50)
Organizata të ndryshme çetnike e ultranacionaliste, të shpallura si ilegale edhe nga shteti serb, siç janë ‘Obraz’ (Fytyra), ‘Srpski çetnicki pokret’ (Lëvizja çetnike serbe), ‘Pokret 1389’ (Lëvizja 1389), ‘Delije’ (Trimat) ‘Grobari’ (Varrmihësit), pastaj qindra motoristë, si dhe grupe tjera famëkëqija të ekstremit të djathë që luftojnë për Serbinë e madhe dhe të pastër me krishterë ortodoksë, kanë paralajmëruar nisjen drejt Kosovës për festën e Vidovdanit.
Gjatë takimit mes drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Behxhet Bala me përfaqësuesit e shqiptarëve dhe jo serbëve të lagjeve veriore të qytetit, është kërkuar nga ata që të ruhet qetësia dhe të kenë besim tek institucionet në mënyrë që situata të menaxhohet më lehtë.
“Qëllimi i strukturave ilegale në veri është që të provokojnë konflikt ndëretnik, andaj çdo eskalim i situatës shkon në favor të atyre që nuk e duan Kosovën”, ka thënë Bala, duke apeluar tek të gjithë për maturi dhe kontribut për qetësim të situatës.
Bala ka thënë se shqiptarët që jetojnë në veri përkundër provokimeve të vazhdueshme kanë dhënë provimin e pjekurisë dhe përgjegjësisë qytetare.
Ai bëri thirrje që kjo të vazhdojë në mënyrë që situata të ruhet e qetë.
Përfaqësuesit e lagjeve veriore kanë thanë se gjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës kanë qenë të provokuar dhe kanë jetuar në presion të vazhdueshëm, megjithatë janë zotuar për të ndikuar në popullatë që të mos bëhen pre e provokimeve të grupeve kriminale, të cilat do të qëndrojnë në veri të Mitrovicës dhe të Kosovës në përgjithësi gjatë festës së Vidovdanit.
28 qershori – Dita e Vidovdanit është festë fetare që festohet nga Kisha Ortodokse e Serbisë, ndërkohë që ndërlidhet edhe me betejën e Kosovës që u zhvillua në të njëjtën ditë të vitit 1380. Në këtë betejë, aleanca ballkanike të cilën serbët u munduan ta përvetësojnë, humbi betejën kundër forcave otomane, që komandoheshin nga Sulltan Murati./kosovapress/