Kosova nis emërimin e konsujve të nderit
Me kërkesë të ministrit Enver Hoxhaj, ambasadat e Kosovës kanë filluar të propozojnë personalitete të ndryshme në shtetet ku shërbejnë për konsuj nderi të Republikës së Kosovës. Tashmë është marrë vendimi për dhjetëra konsuj, ndërsa pritet konfirmimi nga shtetet gjegjëse.
Hoxhaj tashmë ka emëruar disa konsuj nderi për në Austri, Turqi, derisa në ditët në vazhdim pritet të emërohen konsuj nderi edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Republikën e Federale të Gjermanisë, në Francë, në Lindjen e Mesme dhe shumë shtete tjera që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Artan Behrami, këshilltar i ministrit Hoxhaj, ka konfirmuar të shtunën për Kosovatimes.net marrjen e vendimit për fillimin emërimit të konsujve të nderit.
“Jemi në pritje të pëlqimit nga shtetet përkatëse dhe shumë shpejt përfundojnë këto procedura dhe do t’i publikojmë edhe emrat”, ka thënë Behrami.
Në listën e konsujve të nderit që pritet të formalizohen shumë shpejt pas marrjes edhe të miratimit nga shtetet gjegjëse, ka personalitete të ndryshme që janë miq të Kosovës e që janë propozuar nga Presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe nga MPJ.
Emërimi i konsujve të nderi fillimisht ndikon në lehtësimin e punës nëpër Ambasadat e Republikës së Kosovës.
“Konsujt e nderit do kryejnë me dinjitet dhe në mënyrë efektive funksionin e konsullit të nderit të Kosovës. Ndërsa qytete për ku janë propozuar konsujt e nderit kanë rëndësi të veçantë për Kosovën për arsye ekonomike, politike dhe kulturore”, ka thënë Behrami.
Këta konsuj nderi, sipas Behramit, janë individë të shquar në shtetet e tyre të cilët në mënyrë vullnetare do të ofrojnë shërbime të ndryshme për qytetarët e shumtë të Kosovës në diasporë, sidomos në lokacionet e ndryshme jashtë kryeqyteteve të këtyre vendeve.
Roli i Konsujve të Nderit kryesisht ka të bëjë me promovimin e Republikës së Kosovës, me qytetarët kosovarë jashtë shtetit, me lidhjet kulturore, me shkëmbimet ekonomike, me marrëdhëniet me shtypin etj.
Siç ka thënë Behrami, gjatë punës së tyre, Konsujt e Nderit do të ofrojnë shërbime që kryesisht shtrihen në tri fusha kryesore:
Puna konsullore: Qytetarët e Kosovës të cilët hasin në vështirësi të ndryshme apo kanë nevojë për ndonjë shërbim konsullor mund të kërkojnë asistencë drejtpërsëdrejti nga Konsulli i Nderit në shtetin përkatës.
Puna komerciale: Konsulli i Nderit mund të shërbej si link (ndërlidhje) në mes të institucioneve dhe ndërmarrjeve të Kosovës me ato të shtetit në të cilin ai vepron, duke ndihmuar zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe punën e përbashkët të institucioneve të ndryshme në këtë lëmi.
Përfaqësimi: Gjatë ngjarjeve të ndryshme dhe gjatë kryerjes së funksioneve të ndryshme publike, Konsulli i Nderit mund të luaj rolin e përfaqësuesit të shtetit të Republikës së Kosovës në atë vend. /Telegrafi/