Kalo te lënda

Konfirëmohen dallaveret e SharCem-it me cement

Analizat e doganës e sqaruan përfundimisht aferën e cementit në Kosovë. Edhe zyrtarisht u konfirmua se fabrika për prodhimin e cementit SharrCem, të cilën e ka marrë në mbrojte Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, është përfshirë në dallavere. Mostrat e marra nga cisternat e kësaj kompanie, që u kapën të martën në terminalin doganor në Han Të Elezit, rezultuan se SharrCem po importonte cement të pastër e jo lëndë të parë siç kishte deklaruar.

Për këtë është iniciuar edhe kundërvajtje doganore, ndërsa Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka filluar hetimet ndaj vendimit të ministres Mimoza Kusari-Lila për masat e përkohshme mbrojtëse në importet e çimentos për të gjitha vendet me tarifa prej 35 për qind. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka konfirmuar se Sharr Cem nuk e kishte deklaruar saktë se çfarë produkti po importonte,shkruan Express.

“Pas përfundimit të analizave tarifore, dogana ka ardhur në konkluzion se produkti i deklaruar me kod tarifor 2523100000 me përshkrim Klinker (lëndë bazë për prodhimin e çimentos) me origjinë nga Maqedonia si i tillë nuk klasifikohet në kodin përkatës, por në një kod tjetër tarifor me numër 2523290000, ku hyjnë edhe portland çimento në formë të bluar”, është shprehur Stavileci. /Indeksonline/