Kalo te lënda

Dorëheqja e Kuçit, lojë politike

Miratimin e Kondit Penal me nenet 37 dhe 38 dhe qëndrimet pro dhe kundër të deputetëve të PDK-së ndaj këtij ligji, opozita e sheh si një lojë politike e PDK-së dhe e Qeverisë së Thaçit. Ndërkohë, dorëheqjen e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, nuk e shohin një përgjegjësi politike të tij, por më tepër si një krenari personale të tij.

Visar Ymeri nga Lëvizja “Vetëvendosje”, vlerëson se dorëheqja e Hajredin Kuçit nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të drejtësisë nuk ka të bëjë me një përgjegjësi politike, por, sipas tij, më tepër ka të bëjë me një lloj krenarie personale të tij.

“Ky vendim i djeshëm i zëvendëskryeministrit duket se ka të bëjë pak edhe me një lloj krenarie personale. Meqenëse, ka thënë se do të jap dorëheqje. Tash tha dorëheqje, por jo se e ndiente veten përgjegjës për nenet të cilat janë kundërshtuar shumë edhe nga mediat. Nuk duhet harruar se është po ky ministër i drejtësisë, ai që e solli këtë projekt Kod, me ato nene në Kuvend, dhe i cili e mbrojti këtë projekt Kod me të njëjtat nene edhe herën e parë kur u miratua”, ka thënë Ymeri, raporton Kosovapress.

Kurse, deklaratën e kryeministrit Thaçi, se ndihej i turpëruar, përderisa kryesuesi i grupit parlamentar i PDK, Adem Grabovci, kishte votuar pro miratimit të Kodit, Ymeri e konsideron një lojë politike, që po e bëjnë PDK-ja dhe Qeveria e Kosovës.

Ai shton se Lëvizja “Vendvendosje” qëndron prapa vendimit të saj se këto dy nene duhet të hiqen nga kodi penal, ngase e cenojnë lirin e shtypit.

Edhe anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë se qëndrimet e kundërta të deputetëve të PDK-së dhe fjalët e kryeministrit, se ndihej i turpëruar, lënë hapësirë për një prapavijë politike të PDK-së.

“Prapavija mund të shihet me vetë faktin se shefi i grupit parlamentar dhe përfaqësuesi i Grupit parlamentar, i cili, në emër të grupit ra në kundërshtim me deputetët, të cilët votuan ndryshe dhe kjo pastaj i atribuohet kryeministrit, i cili në vazhdimësi me shefin e grupit parlamentar dhe me përfaqësues të grupit parlamentar gjithmonë i ka koordinuar veprimet dhe keqardhja që ka shprehur dhe fjala e tij se ndihet i turpëruar. I turpëruar është dashur të ndihet para se të ndodh ngjarja dhe jo kur të ndodh”, ka thënë Isufi.

Ndërsa, sa i përket dorëheqjes së zëvendëskryeministrit Kuqi, ai mendon se e ardhmja do të zbardh se cilat kanë qenë motivet e dorëheqjes, së tij, sepse sipas Isufit, vetë Kuçi ka qenë sponsorizues i këtij projekt ligji. Ai, mendon se Kodi ka mundur të vijë, që në fillim pa nenet 37 dhe 38.

Ndërsa për analistin politik, Ardian Arifaj, është i habitshëm fakti i mos koordinimi të partive politike dhe i vet deputetëve të PDK-së. Sipas tij, në seancën e djeshme, është parë një mospajtim dhe një mospërgatitje e deputetëve të PDK-së se si do të veprojnë në votimin e këtyre dy neneve. /Telegrafi/