Deputetët kundër shtrenjtimit të rrymës
Në mbledhjen e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës është zhvilluar debat për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Me këtë rast, deputetët kanë vlerësuar se me këtë veprim edhe më shumë po varfërohet jeta e qytetarëve të vendit.
Por, zyrtarët qeveritar kanë thënë se për këtë ngritje të çmimit faji nuk është i Qeverisë së Kosovës, pasi që këtë vendim e merr Zyra e Rregullatorit për Energji. Një problem tjetër që është ngritur ka qenë edhe pickimi i qytetarëve nga rriqrat.
Deputetja nga radhët e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi ka ngritur si çështje rritjen e çmimit të energjisë, ku me këtë po varfërohet edhe më shumë qytetari i Kosovës.
“Shqetësimin e AAK-së për rritjen e çmimit të rrymës që do të varfërojë edhe më shumë qytetarët. Derisa pa debat publik pa raportim në Kuvend, Qeveria ka filluar apo ka marrë vendim me i privatizuar dy sektorët kyç me një çmim qesharak prej 26 milionë eurove dhe për këtë duhet me dhanë përgjigje pse po i jepet monopoli një individi privat mbi energjinë elektrike. Ndërkohë po vendoset me u rrit. Në vend të kësaj rritjeje, Qeveria u dashtë me luftuar korrupsionin qe me pas tërheqje të investitorëve”, ka thënë Kadaj-Bujupi.
Por, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka thënë se ekonomia e tregut duhet të ndahet nga politika. Sipas tij, Kosova në vazhdimësi, që nga viti 2007, ka rritje ekonomike mesatarisht 5 %, ka rritje të investimeve të huaja në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe kjo është paraqitur, sipas tij, edhe në qëndrueshmërinë jashtëzakonisht të fuqishme financiare të FMN-së.
Për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, ai ka thënë se Zyra e Rregullatorit i merr vendimet për rritjen e çmimit dhe ky institucion i përgjigjet Kuvendit të Kosovës.
“Çmimin e rritjes së energjisë e përcakton Zyra e Rregullatorit, e cila i përgjigjet Kuvendit të Kosovës dhe Zyra e Rregullatorit është ajo e cila merr dhe rregullon parametrat rregullativë në harmoni me një vendim të mëhershëm të Kuvendit. Edhe për rritje të tantiemës dhe parametrat e tjerë që janë përcaktuar kanë ardhur deri te një konkludim se kjo është forma dhe nevoja për çmim të energjisë”, ka thënë Beqaj.
Por, ka ardhur reagimi i Grupit Parlamentar të LDK-së. Ismet Beqiri ka thënë se ministri Beqaj nuk duhet të thotë që Kuvendi paska faj për ngritjen e çmimit të energjisë.
“Dua të replikoj se ministri thotë që Kuvendi paska faj për rritje të energjisë. Ju e dini ne nuk kemi votuar atë bord, por ZRRE-ja është mbushur me militantë partiakë. Ky Kuvend i ka dhënë miliona euro për kthim KEK-ut dhe një gjë e tillë nuk po ndodh. Mos tentoni me ia lënë fajësinë këtij Kuvendi dhe deputetëve se ata janë fajtorë për ngritjen e çmimit të energjisë”, ka thënë Beqiri.