Kalo te lënda

Arrestohen dy aktivistë të VV-së në Malishevë‏

Lëvizja Vetëvendosje sot me anë të konferencës për media, tërhoqi vërejtjen për situatën e rëndë të krijuar në Malishevë, nga infektimi i popullsisë me ethet hemoragjike, si pasojë e pickimit të rriqrave. Me këtë rast u zhvillua edhe një aksion simbolik, ku aktivistë të kësaj Lëvizje shkruan fjalinë “ZONË ENDEMIKE”, në muret e ndërtesës së Kuvendit komunal.

Pas aksionit zyrtarë të policisë shkuan dy herë në zyrën e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe kërkuan nga aktivistët që të shkojnë e të japin deklaratë në stacion të policisë, për shkak të ankesës së Kryetarit të Komunës në Malishevë.

Ata, njofton Vetëvendosje përmes një komunikate, kërkuan Muhamet Bytyqin dhe Dardan Krasniqin. Meqë dy aktivistët e apostrofuar nuk qëlluan në zyrë, policia arrestoi “pa asnjë shkak dy aktivistë të tjerë dhe atë jashtë zyrës. Të arrestuar janë Alban Krasniqi dhe Valon Hoti”, thuhet në një njoftim të kësaj Lëvizje.

“Lëvizja Vetëvendosje proteston ashpër kundër sjelljes arbitrare të policisë dhe arrestimit me porosi nga kryetari i komunës. Kryetari i Komunës Isni Kilaj bën mirë të kujdeset për gjendjen e popullatës e cila po vdes si pasojë e neglizhencës së pushtetit, si atij lokal dhe atij nacional, që në këtë rast janë nga i njëjti subjekt politik”, thuhet në reagim të kësaj Lëvizje.

“Dy vitet e fundit kemi pasur ketë gjendje: Në vitin 2011 në QKMF janë të regjistruar mbi 1000 persona të pickuar nga rriqrat në Komunën e Malishevës. Ndërsa vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar mbi 900 raste të thumbuar nga rriqrat, së paku katër prej tyre kanë rezultuar të infektuar nga ethet hemorragjike”.

Si pasoj e etheve hemorragjike Krime-Kongo, njofton Vetëvendosje, në gjashtë muajt e pare të vitit 2012 dy të rinj kanë humbur jetën nga kjo sëmundje. Rasti i të riut nga Bratotini i Rahovecit dhe i vajzës nga Plloqica e Malishevës.