Kalo te lënda

Vetëvendosje: “Për hajër Hajredin! E ti Hashim?”

Pas dorëheqjes së zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, lëvizja vetëvendosje ka organizuar një aksin simbolik përpara ndërtetsës së Qeverisë së Kosovës, në rrethojat e së cilat janë varur parullat: “Për hajër Hajredin! E ti Hashim?”.

Hajredin Kuçi ka dhënë dorëheqje nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, të premten pasdite, pasi që deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan kundër heqjes së neneve 37 dhe 38 nga Kodi Penal, nene këto që cenojnë lirinë e shtypit.

Edhe pse këto nene janë votuar nga partia e tij, kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e qeverisë, të organizuar menjëherë pas seancës së Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se ndihet i turpëruar lidhur me miratimin e neneve të Kodit Penal që kanë të bëjnë me mediat.

Thaçi ka thënë se Kuçi e ka mbajtur fjalën që e kishte dhënë, ndërsa ka kritikuar deputetët që kanë votuar kundër Kodit Penal, ndërsa ka paralajmëruar se Qeveria do të riprocedojë Kodin penal në Kuvend.

“Sot në Kuvendin e Kosovës, u votua për heqjen e tre neneve të Kodit penal, që cënonin lirinë e mediave dhe të shprehjes. 59 deputetë të Kosovës votuan pro heqjes së këtyre neneve, duke mbështetur edhe rekomandimin e dhënë nga Komisioni për legjislacion”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

“Deputetët, Elmi Reçica, Latif Gashi, Berat Buzhala, por dhe Adem Grabovci, shefi i Grupit parlamentar i Partisë Demokratike votuan kundër heqjes së këtyre neneve si dhe kundër vendimit të grupit të tyre parlamentar. Ndërkaq abstenuan, Nait Hasani, Hydajet Hyseni, Lutfi Haziri, Anton Çuni dhe Fadil Demaku”.

“Si pasojë heqja e neneve nuk kaloi. Pas kësaj zëvendëskryeministri Kuçi dha dorëheqjen, dhe Kryeministri deklaroi se ndjehej i turpëruar nga ky votim i Kuvendit. A do të thotë kjo që Adem Grabovci nuk do të jetë më shef i Grupit Parlamentar apo Hashim Thaçi është sërish dyfytyrësh?”, thuhet në deklaratën e Lëvizjes Vetëvendosje. /Telegrafi/