Premtuan miliona, i dhanë vetëm 300 mijë euro për Mitrovicën
Prishtinë, 22 qershor – Premtimet e qytetarëve për të ofruar ndihmë për ndërtimin dhe rindërtimin e shtëpive në Komunën e Mitrovicës, shuma e të cilave arriti mbi dy milionë euro gjatë aksionit të quajtur “Ndihmo edhe ti”, kanë dalë të mos jenë të njëmendta. Kanë kaluar më shumë se dy javë nga ky aksion dhe në llogarinë bankare, e cila ishte hapur pikërisht për të ofruar ndihmën me të holla, nuk janë mbledhur më shumë se 300 mijë euro. Këtë e ka konfirmuar për “Kohën Ditore” nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Riza Haziri, i cili beson se premtimet e bëra nga qytetarët do të realizohen.
“Deri më tash rreth 300 mijë euro janë deponuar në llogarinë e veçantë që është hapur. Ka nga ata që i kanë premtuar nga 100 mijë euro, të cilat i kanë lëshuar, por ka edhe nga ata që i kanë lëshuar edhe më pak, pra ato që i kanë premtuar. Por besoj që premtimet që i kanë dhënë qytetarët atë natë kur është organizuar ajo ngjarje do të realizohen”, ka deklaruar nënkryetari Haziri.
Ai ka bërë me dije se premtimet e tyre kanë nisur t’i realizonin kompanitë e ndërtimit, të cilat kishin premtuar se do të ofronin material falas dhe do të bënin ndërtimin e shtëpive.
“Nga ajo iniciativë kanë filluar të ndërtohen pesë shtëpi në Lagjen e Boshnjakëve, kurse të hënën do të fillojnë edhe gjashtë të tjera në pjesë të ndryshme”, ka thënë Haziri. Sipas tij, përzgjedhja e qytetarëve që do t’u ndërtohen shtëpitë është bërë pasi që komisioni vlerësues e ka vërtetuar gjendjen në terren pas marrjes së kërkesave të qytetarëve, të cilët kanë kërkuar ndihmë, shkruan gjerësisht sot “Koha Ditore” .