“Nuk jam President i përkohshëm”
Dhjetë ditë nga zgjedhja e tij si President i Republikës, Bujar Nishani në një intervistë për emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla deklaroi se ai është zgjedhur në krye të shtetit për një mandat të plotë presidencial pesëvjeçar, duke hedhur poshtë hamendësimet e përfolura publikisht për një masë të përkohshme të mazhorancës, për t’u zëvendësuar sipas tyre me një tjetër figurë nga PD-ja në rast të fitores së zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës nga kjo mazhorancë.
I pyetur për këto hamendësime në opinionin publik, presidenti i zgjedhur Nishani theksoi se “Ka patur mjaft hamendësime pas zgjedhjes sime si President i Republikës. Unë jam zgjedhur për një mandat pesëvjeçar. Unë kam treguar një tip që ndeshem me sfidat, dhe do ta tregoj veten time deri në fund të mandatit. Zgjedhja ime nuk ka lidhje me zgjedhjet e 2013-ës. Jam i sigurtë që do të qëndroj deri në fund të mandatit tim. Unë në çdo rast do të jepja dorëheqjen në rast se do të ketë një shkelje të Kushtetutës, por nuk kam një pritshmëri të tillë, dhe sa i përket angazhimeve të mia jam i bindur se do ta çoj deri në fund mandatin tim”, u shpreh zoti Nishani.
Teksa e identifikojnë si zgjedhje të kryeministrit Berisha, që sipas gazetarit Balla rrit skepticizmin në opinionin publik sa i përket besnikërisë ndaj partisë që e zgjodhi, presidenti i zgjedhur Bujar Nishani deklaroi se “Presidenti nuk i përket PD-së. Ai duhet të jetë besnik i Kushtetutës, i gërmës dhe frymës së Kushtetutës. Po. Unë kam qenë besnik i parimeve dhe objektivave të PD-së, qeverisë, besnik i përpjekjeve për t’i realizuar ato objektiva, i interesave që përfaqësonte kjo qeveri. Dhe besoj se një njeri besnik i këtyre parimeve e meriton besimin për t’u bërë president, pasi nëse nuk do të ishte besnik nuk do e meritonte të bëhej President i Republikës. Dhe duke qenë besnik i parimeve pozitive është një garanci se ti do të jesh besnik i parimeve Kushtetuese”, tha Nishani.
Duke iu referuar faktit se Bujar Nishani u zgjodh si president në gërmë të Kushtetutës, pasi u zgjodh me 73 vota të shumicës, Bujar Nishani u pyet nëse do të jetë noter i Berishës me të cilin ai do të jetë komod, apo burrë shteti:
“Është një sfidë e madhe për këdo që në postin e Presidentit të ofrojë atë pritshmëri të publikut. E vërtetë që u zgjodha sipas gërmës, pra atë që përcaktonte raundi i katërt, por besoj se integriteti evidentohet atëherë kur merr detyrën. Nuk mund të gjykohesh si president kur je ministër i Brendshëm, por kur e ushtron detyrën, sa i përfaqëson interesat e vendit, atëherë ti je në sfidë”, tha Nishani.
Pa përmendur emra, presidenti i zgjedhur Bujar Nishani nënvizoi se “Mund të jesh një president i zgjedhur nga shumica dhe në momentin që e ushtron të bëhesh i njëanshëm dhe mund të jesh i zgjedhur nga shumica dhe ta ushtrosh këtë detyrë në mënyrë të njëanshme. Bazike mbetet integriteti i personit. Sfida është me kohën. Unë vazhdoj të garantoj publikun si matësi më i mirë, se në ushtrimin e detyrës do të udhëhiqem nga Kushtetuta. Zyra e Presidentit do të jetë e hapur për çdo qytetar, për çdo politikan sa i përket problemeve”, u shpreh zoti Nishani.
I pyetur nëse ka patur persona që nuk e kanë mbështetur brenda PD-së për shkak të individualiteteve të tjerë që u lanë mënjanë, Nishani nënvizoi se “në mënyrë shumë të sinqertë nuk kam identifikuar disa grupime brenda PD-së. Natyrisht ka individualitetin e tij çdo personalitet në PD, dhe natyrisht në gjykimin tim, secili nga ato emra do të kishte qenë një zgjedhje e mirë për President Republike. Sa i takon përzgjedhjes dhe ndikimit të kryetarit të Partisë është normale, pasi padyshim që zoti Berisha gëzon një reputacion të padiskutueshëm në PD”.
Nishani tha se ai pati tërë mbështetjen e PD-së në këtë zgjedhje, duke nënvizuar se pati kompaktësi në PD në zgjedhjen e tij si President të Republikës.
“Ka qenë një qëndrim i hapur edhe kur folëm për kandidaturat e tjera dhe ka qenë një komunikim mot a mot për të patur kompaktësi në PD. Kryeministri pasi kishte marrë mbështetje nga aleatët që nuk do të kishte rrjedhje të votave ai kërkoi edhe nga grupi parlamentar të mos kishte rrjedhje të votave”, tha Nishani.
Ai nuk pranoi të identifikojë nëse ishte vota e Gazmend Oketës vota kundër tij gjatë zgjedhjes si president, duke u shprehur se “Ka patur një votë kundër në këtë votim. Nuk gjykoj askënd, sepse ajo ishte votë e fshehtë, ku çdo deputet ta ushtrojë në mënyrë normale votën e tij. Por në grup u diskutua dhe edhe kur u nisëm në Kuvend mora shumë urime nga deputetët”, tha ai.
Presidenti i zgjedhur Nishani foli edhe për sëmundjen e tij.
“Së pari është krejt e kuptueshme që të jetë ky interes. Unë besoj që ajo ka qenë një histori krejt njerëzore, që në fakt gjatë gjithë jetës sime nuk më kishte shkaktuar kurrë shqetësime, por që në një ditë e dha goditjen e saj. Unë pata disa shenja dhe pas konsultimit me rrezonancë manjetike nga Mentor Petrela, një grup neurokirurgësh më këshilluan që ose ta lija por që sësmundja do të shfaqej pas disa kohësh apo ta riparoja. Dhe mora një vendim për të ndërhyrë. Momenti i parë ka qenë tronditës nga pikëpamja njerëzore, por duke qenë se diagnoza ishte e ndeshur shpeh, në organet e trupit, unë vendosa që të marr një vendim në interes të perspektivës, që ta kryeja këtë ndërhyrje, e cila ishte krejt normale. Dhe e kreva në Finlandë tek një profesor i specializuar. Pas kthimit nga operacioni pas tri javësh mora ngarkesën e plotë si ministër i Brendshëm”, sqaroi presidenti i zgjedhur.
Ai u pyet edhe nëse ka ndryshuar jeta e tij pas kësaj somundjeje, për të cilën u përgjigj:
“Kjo më ka ndihmuar në dy gjëra, në radhë të parë në ushtrimin e fizkulturës. Tani që nga ajo ditë unë merrem me notin, dhe së dyti për të qenë korrekt në organizimin e jetës, në orarin e punës, qetësimit dhe rehabilitimit. Ka qenë një periudhë shumë e ngarkuar pas operacionit dhe ishte përgatitja e zgjedhjeve të 2009-ës, për përgatitjen e listave të zgjedhësve, mandej procesi i kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike që ishin garancitë e para për zgjedhjet. Dhe përgatitja e këtyre zgjedhjeve u vlerësua.
Dhe unë e përballova së bashkua me stafin tim në mënyrë serioze. Mandej ministria e Drejtësisë ku pata një eksperiencë shumë të bukur. Qenia në këtë aktivitet shtetar shumë të lartë jo vetëm që nuk përbën shqetësim”, nënvizoi Nishani.
Ai tha se ka patur edhe një komunikim mes ambasadorit amerikan Arvizu dhe kryeministri Berisha lidhur me këtë sëmundje duke nënvizuar se “Natyrisht që mbeten pjesë e komunikimit individual, por nuk ka sekret të madh, pasi nga ana e kreut të Patozi u publikua tërheqja e kandidatit Artan Hoxha dhe u deklarua kandidatura ime, dhe ka patur një fluks që thoshte se po vjen një person i sëmurë, dhe se nuk dihet sa kohë do të jetë në mandat. Nuk i kam identifikuar nga kanë ardhur, por u janë adresuar deputetëve të mazhorancës, trupit diplomatik dhe diplomatët e huaj që kanë një partner të ngushtë tek Presidenti. Dhe në mënyrë njerëzore ka patur një interes edhe nga ambasadori Arvizu dhe kam marrë një mesazh që më uronte për detyrën time”, tha ai.