Kalo te lënda

Milionët e parë të privatizimit transferohen në buxhet

Prishtinë, 22 qershor – Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit të enjten ka marrë vendimin më të rëndësishëm që nga themelimi i këtij institucioni. Anëtarët e bordit kanë miratuar transferimin e afro 30 milionë eurove në buxhetin e Kosovës. Këto mjete janë paratë e para në shumë milionëshe që derdhen në buxhetin e shtetit nga procesi i privatizimit, më saktësisht procesi i likuidimit të ndërmarrjeve të privatizuara. Paraprakisht, buxheti pati përfituar rreth gjysmë milioni euro nga procesi disavjeçar i privatizimit.

Bordi i AKP-së po ashtu ka marrë vendim që të nisë negociatat me Ministrinë e Financave dhe Bankën Qendrore për investime në letra me vlerë.

Gjatë takimit është vendosur për shpërndarjen e mjeteve për punëtorët e 9 ndërmarrjeve shoqërore, aprovimin e transaksioneve të Valës së 55-të të privatizimit dhe transaksionet e shitjeve përmes likuidimit të valës së 14-të.