Kalo te lënda

Buzhala, Zhbogarit: Nuk e ke më mirë as në Slloveni

Berat Buzhala përsëri në Facebook. I famshëm tashmë për qëndrimet e tij, ish-gazetar, tash deputet i partisë së Kryeministrit Hashim Thaçi, Berat Buzhala i është “gjuajtur” përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Buzhala ia kujton Zhboogarit se më mirë, sai përket dënimit të gazetarëve sipas Kodit Penal, nuk e ka as në vendin nga ai vjen, në Slloveni. “Perndryshe, sipas Kodit Penal te Sllovenise, paragrafi 170, 171, denimet per shpifje shkojne deri ne 2 vjet burg. Keto nene do tia lexoj z. Zhbogar ne seancen e radhes se Kuvendit te Kosoves, sepse sot eshte trondite pas votimit tone. Athu si do ta perjetoje kete lajm per atdheun e tij :p”, shkruan Buzhala në Facebook.

Ndryshe, Samuel Zhbogar, është shprehur i zhgënjyer me vendimin e Kuvendit të Kosovës për të mbajtur në fuqi nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal, të cilat zhvlerësojnë lirinë e medias.

Zhbogar citohet të ketë thënë nëpërmjet një komunikate të lëshuar nga zyra e tij se nenet në fjalë janë në kundërthënie me konventat e BE-së që mbrojnë lirinë e medias dhe lirinë e të shprehurit.

“Provizionet për përgjegjësinë penale dhe burimin e informacionit do të kenë një ndikim negative në lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Kosovë”, ka thënë Zhbogar, duke rikujtuar se BE mbetet thellësisht e përkushtuar në promovimin dhe ruajtjen e lirisë së shprehjes dhe medias, si vlera të një rëndësie të veçantë për konsolidimin e demokracisë së Kosovës.

Ai ka shprehur keqardhjen gjithashtu se ky vendim pason vizitën që një delegacion i Komisionit Evropian ka realizuar në Kosovë për të vlerësuar arritjet e Kosovës dhe aftësitë e saj për t’u angazhuar në bisedimet e Mekanizmit të Stabilizim – Asociimit.

“Mbi të gjitha, ky hap e lë Kosovën prapa në kontekstin rajonal, duke qenë se pothuajse të gjitha vendet fqinje kanë hequr tashmë provizionet që penalizojnë mediat për kryerjen e detyrave të tyre”, citohet të ketë thënë Zhbogar./Indeksonline/