Arrestohet kryetari i BIK-ut në Kaçanik, kishte armë në veturë
Policia e ka arrestuar të premten pasdite dhe e ka shoqëruar në polici në Kaçanik kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Kaçanik, Florim Nezirajn.
Policia e ka ndaluar atë me veturën e tij private në njërën nga rrugët e qytetit, në të cilit ka gjetur armë.
“Në veturën private të kryetarit të KBI-së, Florim Nezirajt, është gjetur një armë manovruese, e cila është e ndaluar të bartet dhe një elektroshok”, ka thënë togeri Agim Gashi, zëdhënës i policisë për Rajonin e Ferizajt, shkruan Zëri.
Lidhur me pronësinë e armëve togeri Gashi nuk ka njoftuar se kujt i përkasin. “Armët janë gjetur në veturën e tij, në të cilën ndodheshin tre vetë dhe se pa u kryer hetimet nuk mund ta konfirmojmë pronësinë e armës dhe elektroshokut”.
Neziraj është zgjedhur kryetar i KBI-së në Kaçanik në janar të këtij viti, zgjedhja e të cilit është pasuar me protesta të shpeshta nga xhemati i xhamisë së Kaçanikut. /Indeksonline/

