Akademia e Shqipërisë nuk e fton Qosjen në 100 vjetorin e pavarësisë!
Nënkryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Myzafer Korkuti, ka bërë të ditur se në aktivitetet shkencore me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, nuk është ftuar personaliteti i madh i kombit shqiptar, akademik Rexhep Qosja.
Korkuti, nuk ka dhënë asnjë shpjegim lidhur me arsyet e refuzimit të ftesës për Rexhep Qosjen. Por ai ka bërë të ditur emrat e figurave të tjera të ftuar si ato të Hivzi Islamit nga Prishtina, të Ismail Kadaresë, Kristo Frashërit etj.
Deri tani ka reaguar Lista për Shqipëri Natyrale. Lista këtë pohim të nënkryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e konsideron absurd, të padrejtë dhe tepër fyes për ndërgjegjen kombëtare shqiptare.
“Rexhep Qosja me veprën e tij monumentale në shërbim të çështjes shqiptare, hartuesi i ‘Strategjisë së Bashkimit Shqiptar’, hartuesi i ‘Popullit të Ndaluar’ e i dhjetëra e qindra shkrimeve të tjera në shërbim të çështjes shqiptare, i bën dhe do t’i bënte nder çdo lloj konference kombëtare dhe ndërkombëtare”, ka vlerësuar drejtuesi i Listës, Koco Danaj.
“Në çështjen shqiptare, ai është as më shumë dhe as më pak, por ‘Sami Frashëri’ i kohëve moderne. Mospjesëmarrja e tij dhe mungesa e Ftesës nga Akademia shqiptare e shkencave, është një dëm i madh për çështjen shqiptare në këtë qindvjetor, tregon se sa e politizuar dhe militante partiake është Akademia e Shkencave të Shqipërisë”.
“Pa fyer askënd nga pjesëmarrësit e konferencës që do të organizohet, Lista për Shqipëri Natyrale deklaron se ata do të ndjehen dhe duhet të ndjehen të fyer që në sallë do të mungojë, mendimtari i madh i çështjes kombëtare, ata duhet të ndjehen të fyer dhe të përçarë kur të shikojnë se për të mos ja prishur qejfin dikujt apo disave, censurohet dhe cungohet vetë çështja kombëtare. Prandaj, ata duhet ta refuzojnë ftesën që ju kanë bërë dhe ta kushtëzojnë pjesëmarrjen e tyre me pjesëmarrjen e Rexhep Qosjes”, ka thënë ndër të tjera Danaj. /Telegrafi/