Vetura e zyrtarit të MKRS-së shpenzon 700 litra derivate për një muaj
Prishtinë, 21 qershor – Para katër ditësh, shefi i logjistikës në Ministrinë e Kulturës, Fazli Berisha, do t’i shkruante sekretarit të përhershëm në këtë ministri, Veton Firzit për një çështje. Berisha nuk ka pasur asnjë të dhënë se si janë shpenzuar qindra litra derivate në emër të MKRS, nga makinat private të zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Saktësisht bëhet fjalë për ish punëtorin e Institutit Arkeologjik të Kosovës, Shafi Gashi, që tash ka ardhur në krye të Muzeut të Kosovës dhe basketbollistin Florian Miftarin, këshilltarin e jashtëm të ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi.
Vetëm Gashi me veturë private gjatë prillit dhe majit të këtij viti kishte shpenzuar fiks 1 mijë e 312 litra derivate. Në këtë korrespodencë që e ka siguruar gazeta, shefi i logjistikës në MKRS i kërkon sekretarit të përhershëm, të dijë nëse këta persona kanë vendim apo jo për të marrë derivate në emër të MKRS-së, pa veturë zyrtare. Tre ditë më vonë, në MKRS thonë se Gashi dhe Miftari kanë leje për shpenzime në emër të ministrisë, por shefi i logjistikës nuk i ka pasur ato vendime.
“Vendimet kanë qenë por nuk i ka pasur Fazlia”, ka thënë Firzi.
E për shpenzimet e vetëm një veture që kapin sasinë prej 700 litrave derivate, në MKRS arsyetohen se ka pasur ekspedita arkeologjike. Ministria e Kulturës sipas sekretarit të përhershëm ka mbi 25 vetura zyrtare. “Mund të shkoj deri në 27 numri”, ka thënë Firzi.