Suksesshëm do të përmbyllet pavarësia e mbikëqyrur
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është takuar me zëvendës-ndihmës sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euro-Azisë, Philip Reeker. Ky fundit theksoi se SHBA-të do të vazhdojnë të punojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të rritjes së numrit të njohjeve për Kosovën, duke u fokusuar në pesë shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë.
Sipas kumtesës së Kuvendit, Reeker duke konfirmuar mbështetjen amerikane për Kosovën, theksoi se bashkërisht me institucionet e Kosovës do të punohet në përmbylljen me sukses të procesit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.
Zëvendësndihmës sekretari për Çështje Evropiane dhe Euro-Azisë, Reeker, tha se miratimi në parim i projektligjit lidhur me përfundimin e kësaj mbikëqyrjeje, është një veprim i mirë, që ndihmon fundin e këtij procesi.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi gjatë takimit me zyrtarët amerikanë kërkoi mbështetjen në procesin e njohjeve dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Ai i njoftoi zyrtarët amerikanë për zhvillimet fundit në Kosovë, duke filluar nga puna e Kuvendit dhe e Qeverisë në procesin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, zhvillimet në veri, dialogun me Beogradin dhe mos zbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë, procesin e liberalizimit të vizave dhe marrjen e dokumentit për studimin e fizibilitetit.
Kreu i Kuvendit të Kosovës kërkoi, gjithashtu, mbështetjen në procesin e njohjeve dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Krasniqi është takuar edhe me ndihmës-administratoren e USAID-it, Peige Alexander, si dhe ka mbajtur një ligjëratë në Qendrën për Studime Strategjike Ndërkombëtare në Washington, me temën “Shtetndërtimi i Kosovës”.
Gjatë takimit me ndihmës-administratoren e USAID-it,Krasniqi shprehu falënderimet e tij për ndihmën që kjo organizatë ka dhënë në zhvillimin e Kuvendit te Kosovës, institucioneve kyçe politike, reformimin e procesit politik dhe ndihmën në gjithpërfshirjen qytetare. /Telegrafi/