“SharrCemit” i bllokohen në doganë 12 maune të dyshimta
Prishtinë, 21 qershor – Doganat e Kosovës ia kanë bllokuar “SharrCemit”12 maune, të cilat nga Maqedonia ishin drejtuar nga Kosova, nën dyshimin se ka deklaruar rrejshëm se është lëndë e parë e njohur si “klinker”, ndërsa ka të ngarkuar çimento të gatshme.
Bllokimi i këtyre maunave është bërë në pikën e kontrollit doganor në Han të Elezit, vetëm pak ditë pas hyrjes në fuqi të vendimit të Ministrisë së Tregtisë për vendosjen e një tarife prej 35 për qind në import të çimentos në emër të mbrojtjes së prodhimit vendor.
Zëdhënës i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, e ka konfirmuar lajmin për bllokimin e maunave të cilat janë importuar nga fabrika “SharrCem”.
“Dogana i ka bllokuar 12 maune (cisterna) me klinker, e cila përdoret si lëndë e parë për prodhimin e çimentos, për shkak se dyshohet se një pjesë e tyre janë me çimento të gatshme”, ka thënë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.“Importuese është fabrika ‘SharrCem’, e cila ka deklaruar se ngarkesa është klinker, që është lëndë e parë për prodhimin e çimentos”, ka thënë zëdhënësi i Doganave.
Burimet kanë thënë se analizat e mallit janë në proces e sipër dhe se shumë shpejt do të dihet nëse “SharrCemi” e ka mashtruar Doganën e Kosovës. Nëse vërtetohen dyshimet e Doganës së Kosovës, del se “SharrCemi” ka shkelur vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë, i cili vendim është marrë ekskluzivisht për mbrojtjen e kësaj kompanie, të vetmes për prodhimin e çimentos në Kosovë.
Pronari i fabrikës “SharrCem” ka në pronësi edhe një fabrikë në Maqedoni, prej nga dyshohet se është nisur ngarkesa. Fabrikë për prodhimin e çimentos i njëjti pronar ka edhe në Serbi dhe Shqipëri.
Më gjerësish lexoni sot në “Koha Ditore”