Kalo te lënda

NATO të vazhdojë aksionin për heqjen e barrikadave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, takoi të mërkurën komandantin suprem të NATO-s për Evropë, admiralin James Stavridis. Jahjaga dhe Stavridis dënuan sulmin e djeshëm me granatë në afërsi të fshatit Bërnjak, komuna e Zubin Potokut, me ç’rast u lëndua një ushtar i KFOR-it.

Jahjaga ka vlerësuar se sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it është i papranueshëm dhe i patolerueshëm dhe paraqet edhe një përpjekje të strukturave ilegale dhe kriminale serbe për të penguar sundimin e rendit dhe ligjit në tri komunat veriore të Kosovës.

Duke vlerësuar se veriu mbetet sfida kryesore për institucionet e Kosovës, presidentja ka shprehur mbështetje të fuqishme për aksionin e forcave paqeruajtëse të NATO-s për heqjen e barrikadave dhe krijimin e kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave në gjithë territorin e Republikës.

Në këtë kontekst, Jahjaga ka theksuar se  trupat e KFOR-it duhet të rrisin vigjilencës gjatë periudhës së hapjes së zyrës administrative të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën veriore.

Jahjaga me komandantin suprem të NATO-s për Evropë, admiralin Stavridis, ka biseduar edhe për të ardhmen e  FSK-së duke u përqendruar në arritjen sa më të shpejtë të kapaciteteve të plota operacionale. Ajo ka falënderuar NATO-n për kontributin e tyre 13 vjeçar në Kosovë, si faktor paqeje dhe stabiliteti për gjithë rajonin.

Nga ana e tij, admirali Stavridis e ka siguruar presidenten Jahjaga që NATO-ja do të mbetet e përkushtuar në krijimin e mjedisit të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Ai po ashtu e ka njoftuar Presidenten Jahjaga se nuk është paraparë zvogëlim i numrit të ushtarëve në KFOR-it në Kosovë që janë të gatshëm të përmbushin misionin e tyre.

Admirali Stavridis ka theksuar se institucionet e Kosovës janë në rrugë të mbarë me gjithë punën dhe angazhimin e tyre në realizimin e synimeve për integrimet euroatlantike. /Telegrafi/