Kalo te lënda

Kosova nuk kërkoi anëtarësim në OKI

Ministria e Punëve të Jashtme ka mohuar se Qeveria e Kosovës ka paraqitur kërkesë për anëtarësim të shtetit në Organizatën e Konferencës Islamike. Këshilltari i ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj, Artan Behrami ka deklaruar se kryeministri Hashim Thaçi gjatë takimit që ka zhvilluar javën e kaluar me Sekretarin e përgjithshëm të OIC-ut, Ekmeleddin Ihsanoglu, ka kërkuar ndihmën e kësaj organizate islamike për Kosovën, por nuk ka kërkuar që shteti të pranohet si anëtare e kësaj organizate.

“Deri më sot Kosova nuk ka aplikuar për anëtarësim në OIC. Statusi i kësaj organizate nuk lejon anëtarësimin e vendeve që nuk janë anëtare të OKB-së”, ka thënë Behrami për  “Koha Ditore”.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që kërkesa për anëtarësim në OIC të bëhet në të ardhmen, kur edhe të jenë krijuar kushtet për parashtrimin e saj.

Agjencia e lajmeve “MENA-FN” nga Lindja e Mesme pati raportuar se sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate e ka mirëpritur vullnetin e Kosovës për të aplikuar dhe për t’u bërë anëtare e përhershme e kësaj organizate.

“Kosova ka vuajtur nga padrejtësia dhe represioni nën një administratë që nuk i respektonte të drejtat politike, religjioze dhe kulturore të njerëzve të vendit. Tash, pas pavarësisë dhe njohjes nga 91 shtete, përfshirë 30 shtete anëtare të OIC-ut, organizata jonë po pret që në të ardhmen Kosova të bëhet anëtare e plotë e OKB-së dhe e OIC-s”, është cituar të ketë thënë Ihsanoglu.

Faktikisht, në kumtesën që është lëshuar në faqen zyrtare të OIC-ut, pas takimit Thaçi-Ihsanoglu nuk është përmendur fare kërkesa për anëtarësim të Kosovës në OIC, ashtu sikur nuk është përmendur as në komunikatën që ka lëshuar Zyra e kryeministrit të Kosovës të njëjtën ditë. /Telegrafi/