Kalo te lënda

Çimentoja e Fushë-Krujës përdoret në ndërtimin e autostradës

Fushë-Krujë, 20 qershor – Zyrtarë të Doganave në Shqipëri bëjnë të ditur se çimentoja e prodhuar në Fushë-Krujë të Shqipërisë tradicionalisht ka qenë çimento e cilësisë së lartë dhe përdorej për vepra të rëndësisë së veçantë për sa i përket konstruksionit si ura, tunele, konstruksionet e pallateve shumëkatëshe etj. Çimenton e prodhuar në Fushë-Krujë e ka përdorur edhe kompania “Bechtel-Enka” në ndërtimin e urave dhe tunelit të Kalimashit në Shqipëri, por edhe në pjesën e Kosovës, ku markat e saj u janë nënshtruar analizave të hollësishme në laboratorët e kësaj kompanie.
”Transporti nga Hani i Elezit deri në Zhur apo Suharekë ishte me kosto më të lirë sesa nga Fushë-Krujë, por edhe pa TVSH. Atëherë pse ‘Bechtel-Enka’ nuk e mori çimenton nga ‘Sharrcemi’ në Han të Elezit”, ngrenë pyetjen ekspertët e doganave në Shqipëri. Specialistët theksojnë se vendimi i MTI-së për taksën e çimentos së importit është në kundërshtim me Marrëveshjen CEFTA.
”Nëse malli ka certifikatën e origjinës që e identifikon si prodhim vendor, ai përjashtohet  nga taksat me përjashtim të TVSH-së, ndërkohë që çdo lloj ligji që hedh poshtë përjashtimin nga taksat është në kundërshtim me CEFTA-n”, saktësojnë ata.
Gjatë vitit 2011 janë eksportuar në Kosovë nga firma “Fushë-Kruja Cement Factory” 264480 tonë çimento. E krahasuar me vitin 2010, ka një rritje prej 144797 tonësh ose 1.2 herë më shumë. Edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, importi nga Shqipëria ka vazhduar të dominojë, pasi janë importuar 102 mijë  tonë çimento.
Zyrtarë të Doganës së Kukësit pohojnë se fillimi i ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdar ka ndikuar në rritjen e vëllimit të eksportit të çimentos, e cila zë peshën kryesore në eksportet e Shqipërisë në drejtim të Kosovës.
”Cilësia, por edhe çmimi më i ulët, kanë bërë që çimentoja e Fushë-Krujës të jetë  konkurruese në tregun e Kosovës”, argumentojnë zyrtarë të Doganës së Kukësit.