Kalo te lënda

Berisha fton biznesin gjerman në Shqipëri

Tiranë, 20 qershor –Kryeministri Sali Berisha përshëndeti forumin ekonomik gjermano- shqiptar, ndërsa ftoi investitorët gjermanë të rrisin investimet e tyre në Shqipëri. Nga ana e saj, Ambasadorja gjermane e akredituar në Tiranë, Carola Muller Holtkemper, vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në këto 20 vite.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri e vuri theksin tek sektorët energjitikë dhe minerarë. Kreu i qeverisë vlerësoi investimet gjermanë të 20 viteve të fundit si pjesë të suksesit të zhvillimit të vendit tonë.
“Në dy dekadat e kaluara kombi juaj ka qenë sponsor kryesor në Shqipëri, e angazhuar në qindra projekte në shumë fusha. Kjo ndihmë ka qenë faktor i rëndësishëm në transformimet e Shqipërisë në këto 20 vite. Shumë kompani operojnë në Shqipëri dhe i kanë shndërruar investimet e tyre në histori suksesi”- tha kryeministri.
“Kushtet e jetesës në Shqipëri janë gjithnjë në përmirësim. Vendi është një vend i vogël në hartë, por në potenciale është një vend me potenciale të mëdha energjitike. Kompani ndër më të mëdhatë në botë po investojnë në Shqipëri. Janë rreth 400 hidrocentrale për ndërtim. Kompanitë gjermane janë të mirëpritura të investojnë në këtë drejtim. Të dhënat e deritanishme dëshmojnë se kostoja e energjisë së rinovueshme është më e ulët se në vendet e tjera. Një tjetër sektor me rëndësi është edhe industri minerale, ku vendi ynë ka pasuri të shumta në këtë drejtim, duke mos lënë jashtë vëmendjes edhe turizmin malor” u shpreh kryeministri.
Berisha u premtoi biznesmenëve të pranishëm se qeveria e tij do të vazhdojë me lehtësirat fiskale dhe heqjen e burokracive.
Sipas tij, taksa e sheshtë 10% është një nga arsyet madhore të suksesit. “Kemi kontribute shoqërore 15% për sipërmarrësit dhe vetëm 1.55% të xhiros taksa për biznesin e voglës. Ne do t’i ulim edhe më tepër taksat. Do të vijojmë të përdorim çdo stimul për të nxitur biznesin që të përballojë me sukses këtë krizë shumëplanëshe që ka pllakosur Evropën dhe që nuk do të jetë afatshkurtër”.
Gjithashtu kreu i qeverisë u shpreh se edhe malet e Shqipërisë janë të mbushura me minerale nga më të rëndësishmit në botë. “Shqipëria është e pasur në krom, nikel, silic, hekur nikel, kohët e fundit është gjetur edhe platin”, tha Berisha, duke shtuar gjithashtu se edhe “tregu i punës në Shqipëri është mjaft i mirë, dinamik, të rinj të shkolluar që punojnë shumë”
Ambasadorja gjermane e akredituar në Tiranë, Carola Muller Holtkemper, vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në këto 20 vite. Ajo theksoi se shumica e investitorëve gjermanë që operojnë në Shqipëri janë të kënaqur me rezultatet e arritura dhe optimist për të ardhmen, por shtoi se shqetësime mbeten sërish kuadri ligjor, lufta ndaj korrupsionit si dhe TVSH-ja.