BE-ja synon dialog liderësh të Serbisë e Kosovës
Prishtinë, 19 qershor – Bashkimi Evropian shprehet optimist në mundësinë e një takimi mes liderëve shtetërorë të Kosovës dhe të Serbisë, presidentes Atifete Jahjaga dhe presidentit serb, Tomislav Nikoliq.
Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë i kanë thënë “Kohës Ditore” se në Bruksel po punohet që një takim i tillë të shënojë avancimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nga dialog teknik në marrëdhënie të nivelit më të lartë.
Ndërkombëtarët nuk e përjashtojnë edhe mundësinë e takimit në nivel kryeministrash. Po planifikojnë një takim Thaçi-Tadiq, nëse ky i fundit zgjidhet kryeministër i Serbisë. Mirëpo, takimi Jahjaga-Nikoliq konsiderohet më i mundshëm.
Zyrtarë të afërt më kabinetin e baroneshës Ashton i kanë thënë gazetës se pas vizitës së presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, në Bruksel, dhe shfaqjes së gatishmërisë së tij për të bashkëpunuar, është qartësuar agjenda e ecjes përpara të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas të njëjtave burimeve, krahas një takimi të tillë, zyrtarët ndërkombëtarë kanë edhe një listë të tërë veprimesh që presin që të dyja vendet t`i arrijnë deri në fund të vitit: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit, arritja edhe e disa marrëveshjeve të reja, përfshirë atë të energjisë, telekomit, dhe disa aranzhime të tjera që do të mundësonin funksionimin e plotë të EULEX-it në veri të Kosovës, shuarja e strukturave paralele të Serbisë në veri, hapja e një zyre të Serbisë në Prishtinë, si dhe një të Kosovës në Beograd, me qëllim të përmirësimit të avancimit. Në ndërkohë, sipas të njëjtave burime, Qeveria e Kosovës duhet të përmirësojë shërbimet për qytetarët serbë në veri të Kosovës (gjerësisht në “Kohën Ditore”).