Aleanca e Gruas e AAK-së shënon përvjetorin e saj
Aleanca e Gruas e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të mërkurën ka shënuar përvjetorin e 12 të themelimit të saj. Kryetarja e grave të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka vlerësuar rëndësinë e pjesëmarrjes së gruas në institucione, duke thënë se tani ka më shumë gra pjesëmarrëse në të gjitha fushat për të krijuar përvoja dhe për të marrë vendime për të mirën e vendit.
“Duke e ditur që barazia gjinore është zhvillimi i një vendi, ne jemi partia e parë që kemi gra pjesëmarrëse në të gjitha pozitat e partisë”, ka thënë Kadaj-Bujupi në ceremoninë ku ishte e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Jahjaga me këtë rast ka thënë se është përmirësuar dukshëm pozita e gruas në shoqërinë kosovare. “Ne nuk jemi të kënaqura me kaq dhe me pjesëmarrjen e gruas në institucione me vetëm 30 për qind, sepse kërkojmë barazi të plotë në shoqëri”, ka thënë Jahjaga.
Në shënimin e këtij përvjetori kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të AAK-së, deputetë, kryetarë komunash, ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatqia, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ian Cliff dhe përfaqësues të Ambasadës amerikane në Prishtinë. /Telegrafi/