Kalo te lënda

Xhabir Zharku zyrtarisht i pa dënuar

Mbrojtja e Xhabir Zhakut po pret aktgjykimin e shkruar për dënimin me burgim prej 3 vjetësh të ish-kryetarit të Kaçanikut, me të cilin do të fillonte zbatimi i këtij vendimi dhe rrjedhimisht edhe masa e burgimit për Zharkun.

Sipas avokatit mbrojtës, kjo procedurë zgjat 4 deri në 6 muaj bazuar në praktikat e deritashme. Por, Kodi i Procedurës Penale parasheh që aktgjykimi i shpallur të përpilohet me shkrim brenda 30 ditëve në raste kur i dënuari nuk është në paraburgim.

Xhabir Zharku është shprehur i gatshëm të shkojë në burg, por këtë do ta bëjë vetëm kur të marrë vendimin e shkruar nga Gjykata.

Megjithëkëtë, në një bisedë për KTV-në, ai nuk ka dashur shumë të flasë për mosfillimin e zbatimit të vendimit për dënim trevjeçar me burgim.

“Unë nuk merrem me këto, flisni me avokatin, jam i gatshëm me zbatu vendimin, kur te marrë” , thotë Xhabir Zharku, ish-kryetar i Kaçanikut.

Por, mbrojtja e Zharkut, thotë se është duke pritur aktgjykimin e shkruar, duke shtuar se në bazë të praktikave, kjo procedurë merr kohë me muaj.

Por, sipas nenit 395 të Kodit të Procedurës Penale, aktgjykimi i shpallur duhet të përpilohet me shkrim brenda 30 ditëve në raste kur i dënuari nuk është në paraburgim.

Po sipas këtij neni, nëse kjo nuk ndodh, atëherë, gjyqtari duhet ta informojë kryetarin e gjykatës përkatëse për arsyet e mospërpilimit, kurse kryetari ka obligim të ndërmarrë masa, në mënyrë që ky aktgjykim të shkruhet brenda 30 ditëve.

Vendimi i Gjykatës Supreme në rastin e Xhabir Zharkut është marrë tash e 40 ditë, më 8 maj.

Megjithëse është vendim i prerë i shkallës më të lartë, i Gjykatës Supreme, mbrojtja thotë se do të shfrytëzojë masa të jashtëzakonshme juridike kundër këtij vendimi.

Por, sipas nenit 442 të Kodit të Procedurës Penale, procedura penale e përfunduar me aktgjykim të formës së prerë mund të rishikohet dhe të kërkohet rishqyrtim, por kjo nuk ndalon ekzekutimin e vendimit.

Raste të ngjashme kur aktgjykimet nuk janë shkruar me kohë, ka pasur edhe më herët në Kosovë.

Një gjë e tillë kishte ndodhur kundër Rrustem Mustafës dhe “Grupit të Llapit”./Indeksonline/