Kalo te lënda

Pyetësori, dritë në fund të tunelit

Një delegacion i Komisionit Evropian, i cili ka ardhur dje në Kosovë për të verifikuar pyetjet e pyetësorit të studimit të fizibilitetit, ka bërë të ditur se misioni i tyre është t’i vlerësojnë në Kosovë kriteret politike, ekonomike dhe obligimet që i vihen Kosovës nga procesi i stabilizim asocimit. Zyrtarët e BE-së kanë thënë se pyetësori është një dritë në fund të tunelit, i cili është i gjatë, por që Kosova është në trenin e duhur për ta arritur qëllimin.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ka pritur sot në një takim shefin e Njësisë për çështjen e Kosovës në Komisionin Evropian, Lawrence Meredith dhe Përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.

Në një konferencë për media Lawrence Meredith ka thënë se ky mision ka ardhur për të parë gjendjen reale në Kosovës, duke pasur në grup edhe ekspert të fushave të ndryshme.

“Qëllimi i këtij misioni është që të marrim një kuptim më të thellë dhe të qartësojmë çështjet që janë të rëndësishme për Kosovën që të vazhdoj drejt procesit të stabilizim asocimit. Unë kam ardhur me kolegë. Misioni përmban 20 njerëz, përfshirë edhe ekspertët për administratë publike, taksa, dogana, agrokulturë, transport, mjedis, shoqëri informative, tregu i brendshëm dhe ndërmarrje”, ka theksuar Meredith, transmeton Kosovapress.

Meredith ka thënë se ky mision ka veçuar si fusha tregtinë, administratën publike, reformat zgjedhore, ligjin dhe integrimin e komuniteteve.

Ai ka rikujtuar kosovarëve se studimi i fizibilitetit është hapi i parë i stabilizim asocimit, që është bërë në të gjitha shtetet e Ballkanit dhe Kosova duhet të shkoj kësaj rruge.

“Kjo është një fotografi mes lidhjes së Komisionit Evropian dhe Kosovës. Ne do të vlerësojmë tri gjëra. Kriteret politike, kriteret ekonomike dhe obligimet që i vihen Kosovës nga procesi i stabilizim asocimit”, ka deklaruar ai.

I pyetur se kur qytetarët e Kosovës mund të lëvizin lirshëm pa viza, ai nuk është përgjigjur, por ka thënë se udhërrëfyesi është një dokument mjaft i rëndësishëm dhe Kosova duhet të tregoj progresin në këtë drejtim.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar këtë ngjarje e ka përshkruar si një dritë në fund të tunelit për Kosovën, por që, sipas tij, Kosova është në trenin e duhur.

“Studimi i fizibilitetit është i rëndësishëm. Emri vet nuk e jep ndoshta presionin e parë, por e vendos Kosovës në integrimin evropian”, ka theksuar Zbogar.

Nga ana tjetër, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, studimi i fizibilitetit, e ka vlerësuar si një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm në relacionin e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Sipas saj studimi i fizibilitetit për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit përbënë hapin e parë në rrugën e gjatë drejt anëtarësimit të Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian.

Ajo ka përmendur gjithashtu edhe punët që do t’i kryej Kosova që i ka përpara, por, sipas saj, e rëndësishme është të ruhet uniteti politik në vend dhe të ruhet dinamika e punës.

Ky mision pas takimit me përfaqësuesit e Qeverisë do të takoj edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe komunitetet pakicë.

Kosova, para disa ditësh ka dorëzuar 440 përgjigjet në pyetësorin e Komisioni Evropian për studim të fizibilitetit. /Telegrafi/