Ndalohet anija ruse që bartte armë për Assadin
Forcat britanike të sigurisë kanë ndaluar të hënën një anije ruse të mallrave, e cila bartte raketa dhe helikopterë ushtarake me destinacion Sirinë. Sipas BBC-së, anija ruse është ndalur me këmbënguljen e qeverisë britanike derisa ndodhej në brigjet e Skocisë.
Qeveria britanike paraprakisht kishte bërë presion tek kompania Standard (e cila kishte dhënë leje për qarkullim), të anulojë vendimin për qarkullim të lirë të kësaj “anije mallrash”, dhe më pas e kishte urdhëruar kapitenin rusë të kthehet drejtë brigjeve të Rusisë.
Kompania Standard ka njoftuar se pas kontrollit në anijen “Alaed” ndodheshin helikopterë ushtarakë që i dedikoheshin regjimit sirian. Por sipas kësaj kompanie, kthimi i anijes nga ku është nisur nuk është bërë me urdhër të qeverisë britanike, por për shkak se ekuipazhi rus ka shkelur rregullat e caktuara për qarkullim të mallrave në ujërat ndërkombëtare.
Rusia, me anë të vetos në Këshillin e Sigurimit, po i bllokon vendet perëndimore që me bekimin e OKB-së të ndërhyjnë për të shpëtuar popullin sirian nga regjimi i presidentit Bashar al Assad. Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara disa herë kanë shprehur shqetësimin në lidhje me dërgimin e armëve në Siri nga Rusia. Po ashtu kanë lënë të hapur mundësinë e intervenimit ushtarak edhe pa vendim të OKB-së.
Prej më shumë se një viti e gjysmë, populli sirian kërkon rrëzimin e regjimit të presidentit Bashar al Assad, i cili erdhi në pushtet para dymbëdhjetë vjetësh, ndërkohë që para tij për 29 vjet Sirinë e kishte drejtuar babai i tij, Hafez al Assad.
Sipas organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, deri më tani regjimi ka vrarë rreth 15 mijë sirianë, shumica civilë, të cilët merrnin pjesë në protestat ose ndodheshin rastësisht në vendet e cilësuara si bastione të opozitës. /Telegrafi/
