Kalo te lënda

Kosova, pjesë e unazës së gazit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, në kuadër të Ditës së Kosovës, në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, ka njoftuar këtë mekanizëm lidhur me të arriturat njëvjeçare të Kosovës dhe implementimin e prioriteteve që ndërlidhen me reformën strukturore në sektorin e energjisë dhe ekonomisë në përgjithësi. Ministri Beqaj ka ofruar informata rreth aprovimit të akteve nënligjore në sferën e energjisë, zhvillimeve të fundit në procesin e privatizimit të ndërmarrjes së distribucionit dhe furnizimit me energji elektrike, implementimin e projektit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Ai, po ashtu, potencoi përfshirjen dhe kontributin e përfaqësuesve të Kosovës në hartimin e strategjisë rajonale të energjisë dhe përkushtimin e Kosovës të jetë pjesë e unazës së gazit, i cili është në harmoni me Strategjisë së Energjisë të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës. Ministri Beqaj ka njoftuar sekretariatin rreth përgatitjeve të Kosovës në organizimin e Konferencës së Donatorëve në fushën e energjisë, ku planifikohet edhe pjesëmarrja e Komisionarit të BE-së për Energji, Gunther Oetinger.