Kalo te lënda

Kamatat e larta po e ngulfatin biznesin privat

Kamatat e larta të kredive në vend, të cilat arrijnë deri në 14 për qind, vazhdojnë t’i ngulfatin bizneset dhe zhvillimin ekonomik në vend. Ekspertët pohojnë për Kosovapress se politika kreditore tek ne vazhdon të jetë më e ashpra në rajon dhe disfavorizuese për biznesin vendor.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, pohoi për Kosovapress se një ndër sfidat me të cilat ballafaqohet komuniteti i biznesit vendor, e në veçanti sektori privat, pa dyshim mbeten kamatat e larta bankare. Sipas tij, kamatat e larta mbeten një problem, i cili dita-ditës është duke u alarmuar dhe i cili po pamundëson zhvillimin e bizneseve dhe ekonomisë në përgjithësi.

“Nëse i analizoni raportet e institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, një ndër sfidat me të cilat ballafaqohet komuniteti i biznesit vendor, në veçanti sektori privat, pa mëdyshje janë kamatat e larta bankare. Është i vërtetë fakti tjetër se kur bisedon me bankat, ata i kanë arsyet e veta, në mungesë të infrastrukturës ligjore, apo në një mosfunksionalitet të gjykatave dhe judikaturës në përgjithësi. Mirëpo, nga këndvështrimi ekonomik vërtet është diçka që nuk është në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe nuk është në funksion të forcimit të sektorit privat, në veçanti atij prodhues. Nëse e shihni strukturën dhe kompanitë të cilat përfitojë më tepër nga bankat komerciale aktualisht në Kosovë, pothuajse se dominonte janë ato që merren me tregti”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu më tej tha se nëse kemi një qasje duale, ku Qeveria dëshiron ta grumbullojë buxhetin nga kufiri dhe bankat të cilat financojnë dhe mbështetin vetëm kompanitë e mëdha që merren me tregti, ky me të vërtetë është një sinjal alarmues, i cili e orienton kahen e proceseve ekonomike në Kosovë, që shoqëria kosovare të shndërrohet në një shoqëri të varur nga importi, sesa në një shoqëri e cila do të jetë e gatshme të prodhojë dhe të krijojë vende të reja të punës dhe të gjenerojë stabilitet ekonomik. Andaj, sipas Gërxhalit, duhet të punohet më tepër në këtë drejtim dhe në instanca qeveritare, pasi që vetë fakti që 95 për qind e sektorit privat apo kompanive private janë në funksion të bankave, sepse punojnë për t’i kthyer obligimet ndaj bankave, tregon se kjo është një barrë e cila është e pamundur të krijojë mundësi për t’i zgjeruar kapacitetet. Gërxhaliu theksoi se kjo vërtet është një pozitë e palakmueshme dhe se është obligim moral, në rend të parë i BQK-së dhe institucioneve, që të bëjnë më tepër në këtë drejtim.

Ndërsa, Gani Gërguri, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), pohon se kamatat në vend mbeten të larta, por me një trend të rënies, dhe se në këtë drejtim, sipas tij, ka lëvizje pozitive. Ai po ashtu pohoi se BQK do të punojë dhe më tej me mundësitë që ka në përmirësimin e ambientit të biznesit, në mënyrë që kamatat të zvogëlohen edhe më tej.

“Të dhënat e fundit tregojnë për një trend të rënies së kamatave. Ato ende mbesin të larta, jo shumë të larta në krahasim me regjionin, mirëpo kur ta vlerësojmë normën e kamatës dhe lartësinë e saj, ne nuk duhet të harruar asnjëherë se jemi një vend i euroizuar në mënyrë unilaterale, e ky është faktori numër një. Është një listë e gjerë faktorësh që ndikojnë në koston e ndërmjetësimit financiar. Njëri prej tyre, kryesori, është puna jonë e mëtejme në përmirësimin e ambientit për biznes edhe në këtë drejtim ka rezultatet pozitive”, tha ai.

Musa Limani, ekspert i ekonomisë, pohoi se Kosova për nga niveli i zhvillimit të forcave prodhuese, është ndër vendet që ka nivel më të ulët në rajon dhe hyn në radhën e vendeve jo mjaft të zhvilluara. Kështu që sipas tij, politika kreditore është dashur të jetë pozitive, me qëllim që të jetë nxitëse për bizneset, në kuptimin që të krijojë parakushte për zhvillim ekonomik. Mirëpo, për fat të keq, siç tha ai, politika kreditore tek ne vazhdon të jetë më e ashpra në rajon dhe disfavorizuese për biznesin vendor.

“Për fat të keq, politika kreditore tek ne është më e ashpra në rajon, e që do të duhej të ishte e kundërta, në kuptimin se kushtet e dhënies së kredive, janë disfavorizuese për biznesin vendor, sepse jepen me norma shumë të larta të interesit, me një kthim shumë të shkurtë kohor, e ngarkon shumë biznesin vendor”, tha ai.

Limani po ashtu pohoi se normat e larta të kamatës dhe instrumentet e politikës fiskale, si dogana TVSH e tatime të tjera, po e ngulfatin veprimtarinë e bizneseve vendore, duke ndikuar në mënyrë joefikase në zhvillimin e bizneseve dhe në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës. Ai tha se për këtë arsye kemi një situatë shumë të rëndë ekonomike në Kosovë dhe se një numër i madh i ndërmarrjeve falimentojnë, pikërisht duke mos pasur mbështetjen institucionale.

“Tani për tani, këto instrumente nuk janë favorizuese dhe nuk janë në funksion të zhvillimit të bizneseve, bile shpesh e pengojnë dhe e ngulfasin. Dhe për këtë arsye, kemi falimentimin e një numri shumë të madh të ndërmarrjeve”, tha Limani.

Sipas tij, Kosova vazhdon të mos ketë politikë zhvillimore dhe se zhvillimi ekonomik bëhet ‘ad hoc’, në mënyrë shumë parciale, dhe se Kosova ka nevojë për reforma rrënjësore në politiken ekonomike, fiskale dhe kreditore, në mënyrë që të jenë në funksion të zhvillimit të bizneseve vendore. /kosovapress/