Jenkis,Berishës:Mbështetje për reformat drejt BE
TIRANE- Drejtori për Zgjerimin e BE dhe Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme, në Mbretërinë e Bashkuar, Ouen Jenkinsi ka shprehur kryeministrit Berisha gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të asistuar në reformat e nevojshme për përmbushjen e prioriteteve në kuadër të integrimit evropian.
Deklarata eshte bere gjate takimit qe ai zhvilloi sot me kryeministrin Berisha, ku eshte biseduar per situaten politike, zgjedhjen e presidentit dhe nevojen per vazhdimin e reformave ne kuader te integrimit.
Sipas nje njoftimi te kryeministrise, Jenkins pasi vlerësoi arritjet e bëra që nga marrëveshja e nëntorit 2011 për reformën zgjedhore, atë parlamentare dhe ligjet me shumicë të cilësuar, shprehu besim se me vullnetin e të gjitha palëve ekzistojnë të gjitha mundësitë që këto reforma të përmbyllen në kohë.
“Berisha çmoi procesin e zgjedhjes së Presidentit të vendit si një proces i cili respektoi si germën, ashtu edhe frymën e Kushtetutës. Kryeministri theksoi se mazhoranca bëri të gjitha përpjekjet për konsensus dhe se zgjedhja e presidentit erdhi përmes një procesi negociatash dhe konsultimesh mes faktorëve politikë”- thuhet ne njoftim.
Në lidhje me marrëveshjen e nëntorit 2011 kryeministri çmoi se në tërësi palët e kanë respektuar atë marrëveshje dhe me kontribut të përbashkët është arritur plotësimi i pjesës më të madhe të angazhimeve të asaj marrëveshje. Kryeministri vlerësoi se palët kanë bërë punë shumë të përgjegjshme në reformën zgjedhore dhe atë parlamentare dhe se çështjet e mbetura janë plotësisht të zgjidhshme. Kryeministri e siguroi zotin Jenkins për vullnetin e plotë pozitiv të mazhorancës për të kontribuar në zgjidhjen sa më shpejtë të çështjeve të mbetura.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon. Drejtori për zgjerimin e BE dhe Ballkanin Perëndimor në Mbretërinë e Bashkuar, zoti Ouen Jenkins vlerësoi rolin e vazhdueshëm pozitiv të Shqipërisë si faktor kyç për stabilitetin dhe paqen në rajon.