BE nuk ka kushte të reja për Serbinë
Kreu i misionit të BE-së në Serbi, Vincent Degert, ka mohuar se BE ka vënë kushte të reja për Serbinë, karshi çështjes së Kosovës.
Degert në një konferencë për media në Beograd, ka thënë se agjenda e Serbisë për në BE është e qartë.
“Agjenda është e qartë. Nuk ka ndonjë kusht të ri. E dimë se çështja e Kosovës është ende problem për Serbinë e sidomos në rrugën e kësaj të fundit drejt BE-së”, ka thënë Degert.
Ai ka thënë se BE asnjëherë nuk e ka përmendur Kosovën lidhur me çështjen e Serbisë drejt BE-së përveç atë se duhet normalizuar raportet ndërmjet tyre.
“Bashkimi Evropian ka zgjedhur dialogun për të kontribuuar në këtë çështje dhe do të vazhdojë ta mbështesë këtë metodë edhe në të ardhmën” ka thënë Degert.
Ndryshe, ky reagim i Degert vjen pas raportimit të mediave se Bashkimi Evropian ka vendosur kushte të reja për Serbinë, siç është hapja e zyrave në Beograd dhe Prishtinë etj. /Indeksonline/