Kalo te lënda

Kusari-Lilës i del në krah Oda Amerikane

Mimoza Kusari-Lilën ish-puna e saj, Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK), nuk po e lë vetëm as tash kur ajo është avancuar në ministre të Tregtisë deh Industrisë së Kosovës.

OEAK nëpërmjet një komunikate për shtyp ka shprehur shqetësimin e saj me debatin që vijojë vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për caktimin e masave mbrojtëse të përkohshme në import të çimentos.

“Ky debat është karakterizuar me një retorike të ashpër politike pa asnjë konsiderate për ligjin e aplikueshëm dhe me një përpjekje për shtrembërimin e fakteve lidhur me pasojat që i prodhon ky vendim”, thotë OEAK.
Kjo organizatë biznesesh thotë se është befasi se si deputetët e Kuvendit të Kosovës, që janë përgjegjës për nxjerrjen e ligjeve, nuk janë në dijeni se vendimi për implementimin e masave mbrojtëse në import të çimentos është i bazuar në Ligjin Nr. 04/L-047 për Masat “Mbrojtëse në Importe i cili është në harmoni të plotë me Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe me marrëveshjet e Organizatës Botërore të Tregtisë. Po ashtu, është zhgënjyese përpjekja për të paraqitur këtë vendim si një masë kundër Shqipërisë kur në vendim shihet qartë se vendimi vlen për importin e çimentos nga të gjitha vendet e botës”, shprehet OEAK.
Ajo që është më shqetësuese për Odën Amerikane është edhe mënyra e referimit të kompanive edhe ashtu të pakta prodhuese vendore në baza nacionale. “Sipas ligjit në fuqi në Kosovë investitorët e huaj gëzojnë trajtim të njëjtë me bizneset vendore dhe çfarëdo përpjekje për të diferencuar investitorët e huaj mbi baza etnike do të dëmtoj imazhin e Kosovës si vend për të bërë biznes”, thuhet në këtë komunikatë.
Duhet bërë me dije, thuhet në komunikatën në fjalë se sipas ligjit, masat mbrojtëse në importe mund të caktohen në rastet kur një kompani e vetme, e cila furnizon 25% të tregut, ose më shumë kompani të cilat furnizojnë më shumë se 50% të tregut paraqesin dëshmi se ka një influks të shtuar të importi dhe se ky influks është duke ju shkaktuar apo ka rrezik të ju shkaktoj dëme serioze. “Njëkohësisht, kompanitë që përfitojnë nga masat mbrojtëse kanë për detyrim të paraqesin një plan të detajuar për riparimin e situatës gjatë kohëzgjatjes së masave mbrojtëse”, thotë OEAK.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thekson rëndësinë e përpjekjeve gjithëpërfshirëse të të gjithë akterëve relevantë në vend për tërheqjen e më shumë investimeve të huaja direkte si e vetmja mënyrë për përmirësimin e situatës së përgjithshme ekonomike dhe sociale. “Në këtë drejtim, respektimi i ligjit është shtylla kryesore për fitimin e besimit të investitorëve se Kosova është një vend stabil dhe i qeverisur nga ligjet në fuqi”, thuhet në komunikatëne  OEAK.
Në të njëjtën kohë, Oda Amerikane i bënë thirrje fabrikës për prodhimin e çimentos “Sharrcem” që gjatë kohëzgjatjes së masave mbrojtëse të mos ndërmarrë asnjë veprim i cili mund të ketë ndikim negativ në çmimin e çimentos apo tek konsumatorëve kosovarë. Po ashtu, Oda Amerikane fton Ministrinë e Tregtisë që para caktimit të masave mbrojtëse përfundimtare të zhvillojë një proces konsultativ gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesuara, ashtu siç është e paraparë me Ligjin për Masat Mbrojtëse në Importe.   “Oda Amerikane do të vazhdoj të përcjellë me vëmendje zbatimin e vendimit për tu siguruar se vendimi nuk prodhon ndonjë efekt që nuk është në pajtim me ligjin”, përfundon komunikatën OEAK. /Indeksonline/