Inicohen hetimet për tenderin e një rruge në Komunën e Prizrenit
Prizren, 18 qershor – Prokuroria e Qarkut e Prizrenit ka autorizuar nisjen e hetimeve në lidhje me tenderin e dhënë nga Komuna e Prizrenit për ndërtimin e rrugës në fshatin Sërbicë e Poshtme. Dyshimet rreth kontratës që autoritetet komunale kanë lidhur me dy operatorë ekonomikë në vlerë prej 960 mijë eurosh ishin bërë publike në muajin shkurt të këtij viti, që njëherësh edhe janë bërë shkas që organi i ndjekjes të kërkojë nga hetuesit e Njësitit për Krime Ekonomike të Policisë në Prizren që t’i zhvillojnë hetimet përkatëse, shkruan sot Koha Ditore.”Prokuroria e Qarkut ka autorizuar Njësitin për Krime Ekonomike të Policisë Rajonale të Prizrenit për hetimin e tenderit për ndërtimin e rrugës në Sërbicë të Poshtme, për shkak të dyshimeve që janë ngritur rreth kësaj kontrate. Hetimet janë në zhvillim e sipër, prandaj nuk mund të jepen më shumë hollësi të tjera rreth rastit”, ka thënë një burim i besueshëm i “Kohës Ditore” brenda Prokurorisë së Qarkut të Prizrenit.
Se hetuesit policorë janë vënë në punë për të kontrolluar dyshimet në lidhje me këtë kontratë e ka konfirmuar edhe një zyrtar i lartë i Degës së LDK-së në Prizren, i cili kohë më parë është intervistuar nga pjesëtarët e Njësisë për Krime Ekonomike.
(Gjerësisht sot në Koha Ditore)