Hoxhaj: Tony Blair simbol i besimit, optimizmit dhe shpresës
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, së bashku me ministren e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, kanë pritur në takim ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair, i cili po qëndron në një vizitë në Prishtinë.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, së bashku me ministren e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, kanë pritur në takim ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair, i cili po qëndron në një vizitë në Prishtinë. Ministri Hoxhaj gjatë takimit vlerësoi lartë figurën dhe lidershipin e ish-kryeministrit britanik Tony Blair për Kosovën, rajonin dhe më gjerë. Ai tha se Blair është simbol i besimit, optimizmit dhe shpresës për qytetarët e Kosovës, shkruna koha. Ministri Hoxhaj falënderoi ish-kryeministrin britanik për kontributin e jashtëzakonshëm që ai dhe Britania e Madhe kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për konsolidimin e shtetit të Kosovës në të gjitha aspektet. Hoxhaj njoftoi ish-kryeministrin Blair për zhvillimet në Kosovë, progresin e brendshëm dhe për forcimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. “Ne përulemi me një mirënjohje të thellë para jush për lirinë e Kosovës. Shprehim mirënjohje të madhe për qindra dhe mijëra qytetarë britanik, para shumë ushtarëve, të cilët parandaluan asgjësimin tonë fizik dhe kontribuuan aq shumë për Kosovën. Para shumë diplomatëve të cilët ishin zëri më racional në prezantimin e çështjes sonë, para shumë gazetarëve apo akademikëve që nuk heqin dorë nga kërkimi i drejtësisë”, tha Hoxhaj. Në anën tjetër, ish-kryeministri britanik Tony Blair, duke shprehur gëzimin për vizitën në Kosovën, ka vlerësuar progresin që po arrin Republika e Kosovës në të gjitha fushat, duke shprehur përkrahjen e tij të mëtutjeshme. Blair u shpreh i lumtur për mundësinë që t’i involvojë universitetet kosovare në rrjetin global në universiteteve më të mira, ku ligjërohet programi i tij “Globalizimi dhe besimet”. Në këtë aspekt, ministri Hoxhaj shprehu përkrahjen e fuqishme të Ministrisë së Punëve të Jashtme për këtë iniciativë të çmuar të ish-kryeministrit Blair, duke theksuar rëndësinë dhe impaktin që do të ketë ajo në fuqizimin e sistemit akademik universitar të Kosovës. Ndërkaq, Blair falënderoi ministrin Hoxhaj për përkrahjen e ofruar si dhe për mbështetjen që MPJ e Kosovës ka dhënë në çështjen e dialogut ndërfetar.
Bler nënshkruan memorandume me UP, AUK e MASHT Ai gjatë vizitës në vend do të nënshkruajë memorandume bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës, Universitetin Amerikan të Kosovës dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Tenknologjisë.
Nuk janë dhënë detaje për marrëveshjet në fjalë.
Më vonë gjatë ditës, nën organizimin e Universitetit të Prishtinës, ish kryeministri britanik mban ligjeratën për “Besimin dhe Globalizimin në botën moderne”.
Bler aktualisht është kryetar i Tony Blair Foundation.
* * * * *
Ish-kryeministër i Britanisë së Madhe, Tony Blair, sot vjen në Kosovë, ku gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, do të vizitojë shkollën “Elena Gjika”, do të mbajë ligjëratën në Universitetin e Prishtinës “Besimin dhe globalizimin në botën moderne” dhe do të nënshkruajë memorandumin e mirëkuptimit me dy universitete të Kosovës.
Vizita e ish-kryeministrit britanik, realizohet përmes Fondacionit të tij “Faith Foundation”, i cili fondacion do të ndihmojë dy universitete të Kosovës në promovimin e tolerancës dhe debatit kritik për rolin e feve në shoqëritë demokratike.
Lajmi për ardhjen e ish kryeministër i Britanisë së Madhe në Prishtinë, është konfirmuar edhe nga zyra e Tony Blair.
“Blair Tony Faith Foundation”, është themeluar nga RT. Hon Tony Blair në vitin 2008 dhe fokusohet në të kuptuarit e ndikimit të fesë në botën e sotme, dhe përpiqet për respekt dhe mirëkuptim midis feve kryesore të botës.
Ish-kryeministri britanik, ka luajtur një rol kyç në fillimin e bombardimit të NATO-s ndaj caqeve serbe në vitin 1999.