Hetime intensive për dukatin e Pejës
Inspektorati Policor i Kosovës gjendet në fazën finale të hetimeve rreth skandalit të fundit të ndodhur në dhomën e dëshmive në Stacionin Policor të Pejës, ku u “grabitën heshturazi “25.3 kilogramë ari.
Drejtues të IPK-së thonë se hetimet janë duke vazhduar, derisa zotohen se do të “lëkundin çdo gurë” për ndriçimin e plotë të këtij rasti. Ata thonë se do të intervistohen të gjithë personat të cilët dyshohen, në një formë apo tjetër se kanë ndërlidhje me vjedhjen e arit në Pejë.
Sipas zyrtarëve të IPK-së përgjegjësia për ngjarjen skandaloze të ndodhur në dhomën e dëshmive në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë bije kryekëput mbi personat kompetentë, shkruan “Zëri”.
Madje, drejtues të Inspektoratit rikujtojnë se hajnia e arit në vlerë për më shumë se 1 milionë euro nuk ka mundur të realizohet në mënyrë aq profesionale nga dikush që nuk është në polici, pa pasur bashkëpunim me vet policinë.
“Jemi ende në fazën e hetimeve të kësaj ngjarje”, ka thënë për gazetën Fitim Shishani, kryeshef i IPK-së, i cili nuk ka mundur që të jap detaje shtesë për shkak të hetimeve që po vazhdojnë ndaj këtij rasti.
Megjithatë, deri më tani në arrest shtëpiak gjendën katër eprorë të policisë: një major, dy togerë dhe një zyrtar policor , të cilët dyshohen se kanë “gisht “ në vjedhjen e arit në Stacionin Policor në Pejë, të cilët kishin çelësat e “dhomës së pasur”.
Por, jo vetëm kaq, përveç katër zyrtarëve të lartë policorë është suspenduar nga puna komandanti rajonal i Pejës, Ahmet Hasi. Por, inspektorati policor duket se nuk do të ndalët më kaq, pasi që në ditët e ardhshme pritet të ketë edhe arrestime të reja, ndonëse nuk konfirmohen emrat se për kënd bëhet fjalë.
Vjedhjet skandaloze në Policinë e Kosovës duket se janë bërë “modë”, por që në anën tjetër po dëmtojnë rëndë imazhin e policisë. Këtë e ka pranuar edhe vet ministri i rendit Bajram Rexhepi.
Por, jo vetëm ministri, i cili pohon se me ngjarje të tilla po dëmtohet imazhi i Policisë, por edhe përfaqësuesit e partive politike opozitare kanë mendim të ngjashëm. Madje për vjedhjeve të tilla skandaloze ata fajësojnë edhe qeverinë e kryeministrit Hashim Thaçi, që sipas tyre në një formë apo tjetër ka “gisht “ në veprime të tilla.
Ndryshe, forcat politike opozitare vazhdimisht kanë thënë se për vjedhjen e ndodhur në Dhomën e dëshmive në prill të vitit 2009 qëndrojnë “peshqit e mëdhenj”.
Aty “heshturazi” janë vjedhur 47 kilogramë heroinë dhe më shumë se 3 milionë euro, në valuta të ndryshme, ndërkaq së fundi në Stacionin Policor në Pejë u vodhën 25.3 kilogram ari në vlerë për më shumë se 1 milionë euro.