Dështon takimi i liderëve për reformën zgjedhore
Prishtinë, 18 qershor – Shtyhet serish takimi i liderëve të partive politike për t’u dakorduar rreth reformave zgjedhore të propozuara nga partitë politike, shoqëria civile dhe Komisioni për reformat zgjedhore.
Kryetari i komisionit, Haki Demolli, ka deklaruar se takimi i paraparë të mbahet nesër sërish do të shtyhet, pasi ai ka marrë njoftimin se kryeministri Thaçi do të udhëtojë për vizitë zyrtare në Bullgari, raporton KTV-ja. Ndërsa ka shtuar se takimi do të mbahet menjëherë pas kthimit të kryeministrit.
Njoftimin për shtyrje Demolli e dha në debatin e organizuar nga Instituti për politikë dhe zhvillim rreth reformave zgjedhore. Në të u diskutua kryesisht për mungesën e gatishmërisë së liderëve politikë për t’u miratuar ligji i zgjedhjeve. Pjesëmarrësit vlerësuan se ligji aktual për zgjedhje nuk është problemi, por mosgatishmëria e liderëve që zgjedhjet të shkojnë mirë.