Dasma kthehet në tragjedi, 1 i vdekur 3 të plagosur
Një dasmë ka përfunduar tragjikisht, pasi katër dasmorë janë aksidentuar, ku njëri prej tyre ka humbur jetën ndërsa tre të tjerët janë të plagosur.
Një 28-vjeçar ka humbur jetën teksa kthehej në shtëpinë e tij, ndërsa tre dasmorë të tjerë mbetën të plagosur. Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin Lekaj-Kavajë kur automjeti me targa të Durrësit përfundoi në një kanal.
Për pasojë humbi jetën 28-vjeçari, Gentian Sinameta, ndërsa u plagosën Flora Hasa, Makbule Sinameta dhe Artur Hysa.
Policia e Kavajës mbërriti menjëherë në vendngjarje për të bërë këqyrjen e provave. Mësohet se të aksidentuarit po ktheheshin nga një dasmë në Peqin për në banesën e tyre në komunën Luz i Vogël.
Policia tha se, nga hetimet e para dyshohet se shkak i aksidentit të jetë shpejtësia e madhe me të cilën po udhëtonte automjeti. Aktualisht tre të plagosurit ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën./E.L/