Cooper të mërkurën në Beograd, të enjten në Prishtinë
Bruksel, 18 qershor – Me qëllim të përshpejtimit të rifillimit të dialogut, ndërmjetësi i BE-së në dialogun teknik midis Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper të mërkurën do të qëndrojë në Beograd, kurse një ditë më vonë do të arrijë edhe në Prishtinë, transmeton Telegrafi njoftimet. Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme Catherin Ashton, Maja Kocijançiç, u ka thënë mediave serbe se vizita e Cooperit në Beograd dhe Prishtinë bëhet me qëllim që të shpejtojë procesin e rifillimit të dialogut, i cili tash një kohë të gjatë ishte ndërprerë për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Serbi. Çështja e rifillimit të dialogut teknik midis Kosovës dhe Serbisë ka qenë një ndër temat kryesore të bisedës në takimin midis Ashton dhe presidenti serb Nikoliq, gjatë vizitës së këtij të fundit, javën që shkoi në Bruksel. Kocijançiç ka theksuar se ende nuk është e qartë se me kë do të takohet Cooper në Beograd, pasi ende nuk është formuar qeveria serbe, por ka shtuar se qëllimi i vizitës dihet. Cooper viziton Beogradin dhe Prishtinën me qëllim të përgatitjeve për vazhdimin e dialogut dhe implementimin, para së gjithash, të marrëveshjeve të arritura tashmë. Ky do të jetë rast i mirë edhe për sqarimin e disa mosmarrëveshjeve, si është ajo lidhur me interpretimin ndryshe midis palëve sa i përket përdorimit të fusnotës. Kociajnçiç ka thënë se edhe gjatë pauzës që po zgjat, kontaktet mes palëve dhe Brukselit nuk ishin ndërprerë. “Ndonëse nuk ka pasur takime të nivelit të lartë, grupet punuese kanë vazhduar punën”, ka shtuar ajo