Berisha, ftesë Ramës: Të mbyllim reformat
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje kreut të socialistëve, Edi Rama të punojnë për finalizimin e reformave në interes të së ardhmes evropiane të shqiptarëve. Në fjalën e tij në grupin parlamentar të PD-së, Berisha i ka bërë apel Ramës se është koha të vendosen interesat evropiane si përparësi të cdo përparësie.
Ai e ka akuzuar Ramën se nuk di cfarë është konsensusi, duke i kujtuar atij se konsensusi nuk është për t’u përdorur për bllokim.
“Nuk është konsensusi për tu përdorur për bllokim, ai është proces në të cilin cdo palë duhet të bëjë lëshime, dhe i tillë është. Nuk bëhet politika me koka turku, nuk është demokracia prerje kokash, është sistemi tjetër, ndaj dhe e ftoj pa paragjykime, por duke vendosur interesat evropiane të qytetarëve shqiptare”- tha Berisha.
Ai e ka garantuar Ramën se me angazhimin më të madh do të shihen reformat që presin shqiptarët.
“Të fillojë me cilën të dojë, të nisë me imunitetin, që mos të tregojë se është i vetmi opozitar në planet që e do qeverinë me imunitet, të ngrihet mbi këshillin e miliarderëve, pasi janë qindra mijëra socialistë shqiptarë që nuk duan imunitet”- tha ai.