ATK amniston ilegalët
Mbi 100 biznese joaktive, që nuk paguajnë fare tatime, kanë përfituar tenderë nga buxheti i Kosovës në vlerë miliona euro, vitin e kaluar. Si pasojë, Express mëson se buxheti është dëmtuar afër 5 milionë euro. Shkak i kësaj, sipas Auditorit, është mungesa e kontrolleve nga Administrata Tatimore e Kosovës.
Administrata Tatimore e Kosovës po i mban në evidencë bizneset joaktive, që nuk paguajnë fare tatime, duke iu mundësuar kështu të njëjtave të përfitojnë tenderë nga Qeveria e Kosovës.
Sipas Auditorit Gjeneral për ATK-në, bëhet fjalë për përfitime milionëshe të këtyre bizneseve, vitin e kaluar. Për me tepër, krahasuar me vitin 2010, që kryesisht ishin biznese vendore, sivjet bëhet fjalë edhe për biznese ndërkombëtare, që po përfitojnë në Kosovë, pa paguar fare tatime.
Ndonëse Auditori nuk ka përmendur numër të tyre, Express mëson se biznese të këtij lloji, që marrin tenderë nga Qeveria, e të cilat nuk e deklarojnë TVSH-në, janë mbi 100 sosh. Ndërkaq, të hyrat që kanë realizuar janë diku afër 5 milionë euro.
Nga kjo, buxheti i Kosovës ishte dëmtuar pothuajse po kaq edhe për vitin 2010.
“Nga evidenca e bizneseve të kategorizuara si joaktive, ne kemi identifikuar se 171 biznese nga 37034 kanë realizuar të hyra nga buxheti i Kosovës për vitin 2010 në shumë 4,281,963 euro”, thuhej në raportin e Auditorit për ATK-në.