Akuzohet nëna për vrasjen e të birit 20 muajsh
A.K., 23 vjeçare, nga një fshat i Suharekës, po akuzohet qe dy muaj nga bashkëshorti i saj 34-vjeçar, se e ka vrarë të birin e tyre 20 muajsh.
A.K.-së, një javë pasi që kishte humbur të birin, iu kishte shtuar edhe një mërzi tjetër, shkruan koha.
Ajo ishte paraburgosur në prill të këtij viti si e dyshuar për vrasjen e të birit. Kishte qenë një mesazh telefonik, e vetmja provë që kishte përdorur kundër saj N.F. nga fshati Peqan i Suharekës, njeriu me të cilin ajo kishte bashkëjetuar gjashtë vjet dhe me të cilin nuk kishte kurorë.
A.K., nis ta tregojë rrëfimin e saj, i cili fillon gjashtë vjet më parë, në vitin 2006, kur ajo ishte 17 vjeç, në një diskotekë të Malishevës, që ishte pronë e N.F.-së dhe vendi ku ishin njoftuar.
Ai punonte edhe në Zvicër dhe aso kohe ishte për pushime në Kosovë. Brenda një nate “ai e kishte përvetësuar” A.K.-në, saqë ajo kishte vendosur që të bashkëjetonte me të.
Përderisa ajo punonte në diskotekën e tij dhe me kërkesën e tij i argëtonte klientët, familja që i jetonte në Suharekë dhe në Gjermani nuk kishte asnjë lajm për të gati tre muaj.
Lumturia e tyre kishte filluar të lëkundej atëherë kur ajo kishte kuptuar se ai ishte baba i dy fëmijëve dhe kishte një grua tjetër në Zvicër.
“Kanë qenë momente shumë të rënda për mua, ngase nuk e kam pritur të mashtrohesha në këtë mënyrë. Por prapëseprapë dashuria e madhe që ndieja për të nuk më lejonte që të merrja ndonjë hap”, tregon A.K.
Ai i kishte thënë se ishte ndarë nga gruaja dhe tanimë i interesonte vetëm ajo. Kohë pas kohe ai udhëtonte për në Zvicër, ndërsa ajo qëndronte në banesën e tyre të marrë me qira në Malishevë.
Tre vjet më pas N.F. ia kishte siguruar një vizë Shengen, e cila vlente tre muaj. Ajo kishte shkuar në vizitë tek familjarët e saj në Gjermani për dy muaj e më pas kishte marrë rrugën për në Zvicër, për t’u njoftuar me familjarët e N.F.-së.
Në Zvicër ajo kishte jetuar gati një vit e gjysmë, ku edhe e kishte lindur djalin. “Djali më lindi më 29 qershor të 2010-s. Mirëpo dy muaj para se të më lindte ai më tha që të shkoja dhe të kërkoja azil pasi që viza kishte kohë që më kishte skaduar”, ka shtuar ajo.
Mirëpo bashkëshorti i saj kishte kërkuar nga ajo që mos të tregonte se kush ishte babai i fëmijës në mënyrë që t’u shmangej problemeve të mundshme me drejtësinë. Dhe ajo kishte vepruar ashtu siç i kishte thënë ai, por kishte rezultuar pa sukses.