Prokuroria nis hetimet ndaj kryetarit të komunës se Vitisë
Krerëve të Komunave që janë nën hetime, i është shtuar edhe një emër.
Prokuroria e Qarkut në Gjilan, ka nisur hetimet pas ngritjes së kallëzimit penal nga ana e policisë ndaj kreut të komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifit.
Prokurori i këtij rasti, Shaban Spahiu, tha se nga hetimet e deritanishme është konstatuar se Nexhmedin Arifi ka shkelur kontratën të nënshkruar me një kompani zvicerane në emër të projektit për studimin e fizibilitetit të pendës së Vitisë.
Spahiu tha se të hollat janë marrë nga kompania, por punët nuk janë kryer, shkruan koha.
“Prokuroria e Qarkut tashmë e ngarkon Arifin për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe ka kërkuar ekspertizë për rastin. Gjithashtu, Prokuroria duke shtjelluar provat ka kërkuar ekspertizë për projektin e dyshuar” thotë ai.
Sipas Spahiut, Arifi është paditur fillimisht nga një person anonim, por më vonë janë sqaruar të gjitha provat dhe hetimet tashmë janë zyrtarizuar.
Por, Spahiu tha se nuk bëhet fjalë për ngritje të aktakuzës, meqë ende rasti është në fazën e hetimeve.
Nexhmedin Arifi ka të ngritur një aktakuzë më herët, po nga i njëjti prokuror. Prokuroria e Qarkut në Gjilan ka ngritur aktakuzë kundër Nexhmedin Arifit kryetar i Vitisë dhe Kabil Hajdarit, ish drejtor në NP “Univerzal”të Vitisë, nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare” dhe “autorizimit” derisa i dyshuari i dytë për veprën penale “shmangie nga tatimi”./Indeksonline/
Nexhmedin Arifi dyshohet se nuk ka respektuar shkresën e Ministrisë së pushtetit Lokal e as vendimin e Qeverisë së Kosovës sa i përket derajonalizimit të “Higjienës”. Në hetuesi edhe Hajdari edhe Arifi i kanë mohuar veprat./Indeksonline/