Kalo te lënda

Privilegje për presidentin, kryeministrin dhe kryeparlamentarin

Keqpërdorimi i të mirave publike nga zyrtarët e lartë të shtetit ka qenë një nga fenomenet më të kritikuara të të gjitha proceseve të deritashme zgjedhore që i ka zhvilluar Kosova, e që në fakt është ndihmuar në proces favorizimi në fushatë për individin apo subjektin politik. Kjo çështje është trajtuar së fundi edhe në Komisionin e ndryshimit të ligjit të zgjedhjeve, në pjesën e dytë të mandatit të filluar, dhe zgjidhja për këtë problem është bërë favorizuese vetëm për tre liderët e institucioneve kryesore të vendit. “Në paragrafin dy të nenit që e rregullon këtë çështje ne kemi menduar se disa prej personaliteteve, sikur që janë presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit nuk mund t’ua ndalojmë përdorimin e tyre për shkak të statusit që e kanë dhe pozitës që e kanë”, tha kryetari i Komisionit të reformës zgjedhore, Haki Demolli.

Ndalohen premtimet për shpërblime financiare

Kjo normë është e rirregulluar në parim në nenin 74.2, i cili sipas akordimit të Komisionit  të reformës kushtetuese  në fazën e tanishme e ka këtë formulim. “Asnjë person i cili mban një funksion politik të zgjedhur apo i emëruar nuk mund të përdorë zyrën apo ndonjë resurs, me qëllim të përfitimit të votave apo mbështetjes së ndonjë kandidati garues në zgjedhje, përveç presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, të cilët i përdorin resurset publike për siguri personale”. Kjo çështje me siguri do të mundë të ngjallë përsëri debat në Kuvend gjatë nxjerrjes për miratim të ligjit nga seanca, por në Komisionin e reformës zgjedhore nuk ka zgjuar ndonjë vëmendje të veçantë. Imri Ahmeti nga LDK-ja ka thënë se për këtë formë të përcaktimit të rregullave të sjelljes në fushata zgjedhore debati është shterur në mandatin e parë të komisionit dhe në fazën e dytë nuk ka zgjuar ndonjë interesim të ri. “Ne jemi pajtuar dhe vetëm duhet të theksohet ndokund resurset publike“. Ajo për çka do të kenë telashe subjektet politike dhe kandidatë në të ardhmen është çështja e premtimeve për zgjedhësit. Me rregullat e reja në Ligjin e zgjedhjeve garuesit në fushatë duhet të jenë shumë të kujdesshme se çka dhe si u ofrojnë qytetarëve për të përfituar votat e tyre. Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, sipas normave të reja ligjore që janë në procedurë, mbështetësit e subjekteve politike apo kandidatët ndalohen të bëjnë premtime për shpërblime financiare, me qëllim të përfitimit të mbështetjes nga votuesit. “Ne e dimë që në praktikë shpesh kemi premtime të tilla jo vetëm premtime, por edhe ofrime të shpërblimeve financiare”, ka thënë Demolli. “Në praktikë e dimë që shumë subjekte politike u premtojnë, u ofrojnë, u  dërgojnë miell, u dërgojnë edhe benzinë e para”, tha Demolli.