Policia akuzohet për manipulim të tenderit 2.9 milionësh
Prishtinë, 17 qershor – Me arsyetimin se nuk i plotësojnë specifikimet e përcaktuara në tender, Policia e Kosovës ka përzgjedhur ofertën që është afro gjysmë milioni euro më e lartë për furnizim me vetura të reja, shkruan sot Koha Ditore. Policia e Kosovës, sipas pronarit të kompanisë “Mercom Company”, ka shkelur Ligjin e prokurimit publik në tenderin për furnizim me automjete, ka thënë Arif Elshani, pronar i kompanisë “Mercom Company”. Sipas tij, Policia e Kosovës e ka përgatitur tenderi për t’ia dhënë një tipi të veturave, prandaj të tjerët i ka shpallur të papërgjegjshëm.
“Mercom Company”, që përfaqëson veturën e markës “Peugeot”, është shpallur e papërgjegjshme për llotin e parë, ndonëse ishte më e lirë se fituesi për 442 mijë e 700 euro. E papërgjegjshme është shpallur edhe kompania tjetër “Autoshpia Siqani”, që përfaqëson “Opelin”, me ofertë më të mirë se fituesi për 200 e 20 mijë euro. Fitues në këtë llot nga Policia e Kosovës është shpallur kompania “Porsche Kosova”.