Osmani: Asanaj kohëve të fundit nuk kishte disponim të mirë
Vdekja e Dino Asanajt, kreut të AKP-së ka lënë pas vetes shumë pikëpyetje, të cilave vështirë u përgjigjet njeriu. Njeriu i fundit në zyrën e tij, ditën e vetëvrasjes kishte qenë deputeti Naser Osmani, i cili ka thënë për “Kosova Sot” se të enjten rreth orës 9:00 të mëngjesit, deri rreth orës 10 :00, ka pirë kafe me Asanajn si zakonisht dhe se nuk ka mundur të vërejë ndonjë ndryshim psikik tek ai. “Unë kam pirë kafe me Asanaj si zakonisht, nuk kam mundur të vërej ndonjë ndryshim në disponimin e tij, pasi që ai kishte disa ditë më parë që ka pasur disponim jo të mirë, dhe për këtë unë nuk kam mundur të kuptoj ndonjë ndryshim. Kemi folur për temat rreth institucionit, asgjë tjetër interesant për të lënë që të kuptosh ndonjë ndryshim”, tha Osmani. Ai ka thënë se Asanaj ka qenë njeri institucional, i cili në përpikëri e ka respektuar ligjin.
Tri orë zgjatën procedurat e autopsisë
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka ripërsëritur se procedurat e autopsisë së trupit të Dino Asanajt, tregojnë se i ndjeri ka bërë vetëvrasje. Gërxhaliu ka shpjeguar për gazetën “Kosova Sot” në detaje procesin e autopsisë të bërë nga vetë ai, Flamur Blakaj dhe Karmen Barbuf nga EULEX-i. “Procedura e autopsisë ka zgjatur tri orë dhe gjithçka është parë në detaje, milimetër për milimetër”, ka thënë Gërxhaliu. Ai ka thënë se Asanaj ka pasur gjithsej 11 therje në trup. “Ka pasur 7 plagë në anën e majtë, dy në të djathtën dhe dy në kafazin e kraharorit”, ka thënë Gërxhaliu. Ai ka thënë se Instituti i Mjekësisë Ligjore e ka kryer punën e vet sa u përket “provave që shihen”, ndërkaq i përket prokurorisë që të merret me ato gjëra, të cilat nuk shihen.
I pyetur se si ka mundur që thika të gjendet mbi tavolinën e të ndjerit, ai ka thënë se kjo është çështje e hetuesisë. Me gjithë këto fakte, Policia e Kosovës nuk ka thënë as edhe një fjalë në lidhje me vdekjen e Asanajt. Madje, zyrtarë policorë nuk kanë folur as edhe rreth provave të mbledhura.
Isufaj: Raporti për vetëvrasjen, i besueshëm
Prokurori Blerim Isufaj, i cili po e heton këtë rast, ka thënë për gazetën “Kosova Sot”, se raportin e autopsisë ende nuk e ka marrë, mirëpo raporti tashmë është i konfirmuar se Asanaj është vetëvrarë, sipas mjekëve ligjorë. “Raportin ende nuk e kemi marrë, mirëpo e kemi raportin e autopsisë të konfirmuar nga eksperti, për mua është i besuar ky raport, sepse nuk jam ekspert i asaj lëmie, përderisa nuk vërtetohet e kundërta me një provë tjetër, për mua është i besueshëm”, tha Isufaj. Ai ka thënë se lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar hetime dhe duke u mbledhur prova të reja. “Në momentin kur t’i nxjerrim provat i krahasojmë edhe dalim me versionin final. Raporti i autopsisë është një element, madje element shumë i rëndësishëm dhe shumë domethënës”, tha Isufaj. Ai ka thënë se për këtë rast janë marrë në pyetje shumë persona, mirëpo nuk ka diçka të rëndësishme, sepse të gjithë janë marrë si dëshmitarë. “Kemi shumë punë për të bërë, ka edhe ekspertiza të tjera që duhet të bëjmë, edhe duhet të krahasohen me njëra-tjetrën për të ardhur deri tek një përfundim i saktë”, tha Isufaj. Ndërsa sa i përket informatës se thika e gjetur në vendin e ngjarjes ka qenë e kompletit të thikave të shtëpisë së tij, Isufaj ka thënë se nuk mundet me saktësi të thotë se është apo nuk është e setit të thikave të shtëpisë së tij. “Unë e kam një informatë të tillë edhe prej policisë dhe ajo është verifikuar, mirëpo nuk mundem ta e them saktë se a është nga kompleti i tij, apo jo, për shkak se të hënën ulemi me kolegët dhe do t’i verifikojmë edhe një herë a është e vërteta prej thikave të familjes apo jo. “Unë nuk mund të flas pa e parë me shkrim letrën që është e verifikuar, pasi që për thikën nuk është e konfirmuar se a është e setit të familjes. Ne deklarimet i bëjmë të bazuara në letër prova jo deklarimet”, tha Isufaj. Dino Asanajn është gjendur i vrarë me thikë mesditën e së enjtes. Humbja e madhe dhe e shpejtë e gjakut, sipas mjekëve, kishte bërë që ata të mos mund të bënin asgjë më shumë. Lidhur me këtë rast janë marrë në pyetje shumë persona, në mesin e të cilëve janë edhe dy emrat e biznesmenëve, si: Remzi Ejupi dhe Abdurrahman Konjufca, të cilët kishin akuzuar në muajt e fundit Asanajn se kishte kërkuar shuma të mëdha parash për të bllokuar anulimin e privatizimeve të hotelit “Grand” dhe fermës së pulave në Lipjan.
EULEX-i hesht
Misioni i EULEX-it nuk i ka komentuar rezultatet e para të autopsisë, të kryera nga Mjekësia Ligjore, si një nga pistat e zbardhjes së vdekjes së Dino Asanajt, shef i Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Të gjitha deklaratat zyrtare për këtë rast duhet t’i kërkoni tek autoritetet lokale, i ka thënë REL-it njëri nga zyrtarët e EULEX-it. /Kosova Sot/