Kryeministri Thaçi viziton Bullagarinë
Me ftesë të kryeministrit të Republikës së Bullgarisë, Bojko Borisov, të hën dhe të martën, më 18 e 19 qershor, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Sofje.
Sipas komunikatës zyrtare të Zyrës së kryeministrit, Thaçi do të zhvillojë takime me presidentin bullgar, Rosen Plevneliev, kryeministrin Boyko Borisov, me nënkryetaren e Parlamentit, Ekaterina Ivanova Mihajlova, si dhe me Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë të Parlamentit të Bullgarisë, shkruan koha.
Gjatë qëndrimit në Bullgari, Thaçi do të takojë edhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Bullgarisë, me ç’rast do të prezantojë mundësitë që ofron Kosova për investimet e afaristëve bullgarë, si dhe do t’i ftojë ata të vizitojnë Kosovën, për t’u njohur më për së afërmi me ambientin e favorshëm të biznesit në vendin tonë.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Bullgari, kryeministri i Kosovës do të mbajë një ligjëratë në Klubin Atlantik të Bullgarisë./Indeksonline/