Kalo te lënda

Truprojes së Ina Ramës i grabitet pistoleta

Vajza që shfaqet përkrah kryeprokurores Ina Rama si truprojë e saj, tashmë nuk është më e armatosur. Të paktën prej dy ditësh asaj i mungon arma e shërbimit, një pistoletë tip “Bereta”, e dhënë nga Garda e Republikës.

Banesa e truprojës së vetme femër të kryeprokurores Ina Rama ka rënë preh e dy grabitësve ende të paidentifikuar nga policia. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në banesën e Marije Ramajt, punonjëse e Gardës së Republikës, aktualisht një nga gjashtë rojat personale të kryeprokurores Rama.

Sipas policisë, grabitësit janë larguar me armën e shërbimit të gardistes dhe një lap-top të vjedhur në banesën e saj, ndërsa ka nisur puna për identifikimin dhe arrestimin e tyre. Ngjarja ka ndodhur rreth mbrëmjes së të enjtes, kur dy persona të paidentifikuar përfituan nga mungesa e njerëzve në banesë dhe arritën të marrin pistoletën e shërbimit të Ramajt. Përveç mungesës së njerëzve, grabitësit kanë përfituar edhe nga pozicioni i banesës, e cila është në katin e parë në një prej degëzimeve të rrugës “Siri Kodra” në Tiranë.

Me lehtësi, dy personat kanë mundur të hyjnë në banesë nga dritarja dhe pas kontrollit të ushtruar kanë gjetur pistoletën e shërbimit të gardistes dhe një lap-top. Bëhet fjalë për një pistoletë tip “Bereta” e lëshuar nga Garda e Republikës, e cila është në përdorim nga oficerja Marije Ramaj, truprojë personale e kryeprokurores. Mungesa e armës dhe lap top-it është konstatuar menjëherë, sapo oficerja e Gardës është kthyer në banesë, duke vënë në dijeni edhe forcat e policisë të komisariatit nr. 3 në Tiranë. Ekspertë të policisë kanë shkuar në banesë ku kanë bërë këqyrjet e nevojshme, duke marrë edhe gjurmët e lëna në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimet për ngjarjen.

Çështja është regjistruar si vjedhje e kryer në bashkëpunim, ndërsa policia ka shoqëruar disa persona që njihen si kontingjentë kriminalë në këtë zonë. Edhe pse kanë kaluar dy ditë nga kjo ngjarje, policia nuk ka mundur të identifikojë grabitësit, të cilët tashmë kanë në duar edhe një pistoletë të Gardës së Republikës. 32-vjeçarja Marije Ramaj është një nga oficeret femra me përvojë në Gardën e Republikës. Pas disa detyrave të rëndësishme në Gardë, prej rreth dy vitesh Ramaj është caktuar si një prej truprojave personale të kryeprokurores Ina Rama. Duke qenë e vetmja roje femër, gardistja shoqëron kryeprokuroren thuajse në çdo aktivitet publik dhe lëvizje të sajën, duke u bërë kështu një prej shoqëruesve më të afërt të numrit një të akuzës.

Marije Ramaj zëvendësoi në këtë detyrë kolegen e saj, Ina Baboçi, e cila u emërua fillimisht si shoqëruese e kryeprokurores Ina Rama. Ndoshta për shkak të ngjashmërisë fizike apo edhe prej emrit, gardistja u largua nga kjo detyrë pas rreth një vit e gjysmë, duke u zëvendësuar nga truproja aktuale, e cila tashmë do të ruajë kryeprokuroren pa armën e saj të shërbimit.