Kalo te lënda

Sistemin e drejtësisë, i ndikuar nga politika

Njëri nga kriteret që duhet të përmbush Kosova në rrugën drejt BE-së është edhe pavarësia e sistemin të drejtësisë. Mirëpo, disa nga subjektet politike opozitare konsiderojnë se Qeveria e Kosovës i ka futur duart hapur në sistemin e drejtësisë. Sipas tyre, kjo vërehet edhe atëherë kur trajtohen rastet korruptive. Ndërkaq, drejtues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës vlerësojnë se në këtë drejtim ka përmirësime, ndërsa konsiderojnë se nevojiten disa ndryshime, në mënyrë që gjyqësori të jetë i pavarur.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja “Vetëvendosje” mendon se sistemi i drejtësisë është i ndikuar drejtpërdrejt nga politika për faktin se problemi fillon prej emërimit të gjyqtarëve, i cili sipas saj, bëhet në baza politike dhe bën që sistemi i drejtësisë të mos jetë i pavarur, por i ndikuar direkt nga politika.

“Në një mënyrë apo tjetër shumicën e gjyqtarëve i zgjedh ose presidenca, ose ekzekutivi ose Kuvendi. Pra këtu fillon problemi pasi që ata do të varen në një mënyrë apo tjetër nga ata që edhe i emëronin. Ne themi se sistemi i drejtësisë është shumë i ndikuar politikisht, pra qeveria i ka futur duart hapur në sistemin e drejtësisë. Kjo vërehet për shkak të trajtimit të rasteve korruptive ne Kosovë. Ju e dini që në njërën anë kemi korrupsionin në nivelin me të lartë, ndërsa në realitet nuk kemi asgjë konkrete nga gjyqtarët apo prokurorët. Pra gjyqtarët apo prokurorët i trajtojnë rastet sipas preferencave të tyre që i kanë”, ka thënë Haxhiu për Kosovapress.

Ajo si fakte ka përmendur edhe vendimet e Gjykatës Kushtetues, si dhe mënyrat se si janë trajtuar rastet e vjedhjes së votave nga prokurorët. Pra, sipas Haxhiut, me këtë është degraduar komplet sistemi gjyqësor në Kosovë.

Haxhiu, konsideron se me Qeverinë aktuale është e pamundur që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur, ngase siç shprehet ai, kjo Qeveri ka interes ta mbaj nën kontroll sistemin e drejtësisë, për shkak të korrupsionit të lartë dhe veprave të tjera negative. Sipas saj, për të pasur një sistem të pavarur kjo qeveri duhet të shkoj në shtëpi.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, thekson se që nga koha sa është në krye të këtij institucioni, dalëngadalë edhe ato ndikimet e mundshme politike në sistemin e drejtësisë janë eliminuar, sidomos në procesin e emërimit të gjyqtarëve edhe interferimet e presidentëve të kaluar, të cilët kanë ardhur nga një parti politike.

“Unë prej që jam në Këshillin Gjyqësor, që nga viti 2010, dalëngadalë edhe ato ndikimet e mundshme politike, ato problemet që kanë ekzistuar sa i përket procesit, sidomos te disa çështje që në dukje shihen që munden me ndiku, sa i përket anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ngase tendenca është që pjesa dërmuese e anëtarëve ta zgjedhin gjyqësorët e jo Kuvendi, siç është me Kushtetutën tetë anëtarë. Kështu që edhe këto çështje kanë me has në mirëkuptim, edhe faktori ndërkombëtar dhe politika aktuale e ka pranuar që duhet të behet ky ndryshim, në mënyrë që në të ardhmen me të vërtet gjyqësori me qenë i pavarur”, ka thënë Peci.

Sipas tij, për të hequr dilemat dhe mundësitë e ndikimeve politike në sistemin e drejtësisë nevojiten patjetër të bëhen këto ndryshime, qoftë në procesin e përzgjedhjes së presidentëve, qoftë në sigurimin e buxhetit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Përndryshe, Organizata Freedom House në raportin vjetor “Vendet në tranzicion 2012”, ku analizohen zhvillimet demokratike në Evropën Qendrore, Lindore dhe ish-vendet e Bashkimit Sovjetik, vlerëson se në Kosovë sistemi drejtësisë ka pësuar përmirësime, duke u vlerësuar me notën 5,50./Telegrafi/