Pa zbatimin e marrëveshjeve nuk do të ketë bisedime
Prishtinë, 16 qershor – Lehtësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Robert Cooper, kur të vijë në Prishtinë, do të dëgjojë kushtëzimin e palës kosovare se pa zbatimin e marrëveshjes nuk do të ketë dialog të ri me Beogradin. Cooper do të vizitojë javën e ardhshme Serbinë, e pastaj Kosovën në kuadër të përpjekjes së tij për të rifilluar dialogun.
“Cooper do të kërkojë rifillimin e dialogut dhe njëkohësisht edhe zbatimin e marrëveshjeve nga të dyja palët”, ka thënë një zyrtar i BE-së në kusht anonimiteti, raporton Express.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës ka vendosur të mos bisedojë me palën serbe pa u zbatuar marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel.
Ajo ka thënë se s’ka kurrfarë arsyeje të bisedohet më tutje pa u zbatuar shtatë marrëveshjet, të cilat kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë, menaxhimin e integruar të kufijve, njohjen e diplomave, kthimin e regjistrave kadastralë etj.
Presidenti Tomislav Nikoliq ka thënë se Serbia është e gatshme për kompromis. Por, zyrtarë të BE-së thonë se para vjeshtës vështirë se do të ketë takime të reja mes Prishtinës dhe Beogradit.
