Kalo te lënda

Nis ”lufta” për rektor të UP-së

Konkursi për rektor të ri të Universitetit të Prishtinës (UP) do të shpallet në fillim të javës së ardhshme. E marta parashihet si dita që zyrtarisht do ta hapë garën e konkurrimit për postin e të parit të UP-së.

Këshilli Drejtues (KD) i këtij universiteti të premten në orët e pasditës ka mbajtur mbledhjen ku ka vendosur për shpalljen e konkursit dhe kriteret që do të aplikohen për kandidatët që do të dorëzojnë aplikacionet për t’u bërë konkurrentë për rektor. Por, rektori i ri do ketë fatin t’i prijë UP-së për katër vjet.

Me draft-statutin e ri, mandati i rektorit nga tre vjet sa ishte më parë, do të zgjatet në katër vjet. Kohëzgjatja e mandatit do të jetë e ngjashme dhe për bashkëpunëtorët e tij-prorektorët.

Mbledhja e KD-së të premten është zhvilluar më e qetë, për dallim nga mbledhjet e fundit që janë karakterizuar nga përplasjet ndërmjet anëtarëve të KD-së dhe atyre të menaxhmentit të UP-së.

Gara që pushteti të mbahet apo të vazhdohet dhe një mandat ka intensifikuar përpjekjet e punonjësve të UP-së që të shfrytëzojnë kompetencat qoftë për të lobuar apo punuar në favor të tyre. Posti i rektorit, më i lakmuari tash për tash, ka shtyrë të lindë dhe një mosmarrëveshje tjetër ndërmjet KD-së (KD) dhe Senatit.

Formimi i një komisioni profesional që mbikëqyr zgjedhjen e rektorit të ri të UP-së, i paraparë me dispozita ligjore, është bërë shkak i përplasjeve në Rektorat.

Senati ka tentuar ta ketë në kompetencë për të formuar këtë komision, ndërsa këshilli ka këmbëngulur se e ka këtë kompetencë pasi më parë ishte vendosur po nga Senati që ky komision me qenë në kuadër të Këshillit.

Burime të “Zërit” brenda Ministrisë së Arsimit kanë konfirmuar se ky propozim (që Senati ta zgjedhë komisionin) ka shkuar nga Senati në Ministri. Por, gjakrat janë ftohur të premten, ndonëse nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit u premtua ndërhyrja.

Udhëheqës të departamentit për arsim të lartë në këtë ministri kanë bërë të ditur për “Zërin” se do ta bisedojnë këtë çështje.

Naim Hasani, përfaqësues i kësaj zyre, ka pranuar se kjo ministri do të jetë e gatshme të sqarojë çdo komplikim ligjor. Ai ka theksuar se ligji nuk e specifikon mirë, qartë dhe nuk e sqaron sa duhet se kujt i takojnë kompetencat e këtij komisioni.

Ky komision që ka për detyrë vetëm të përcjellë zgjedhjet, nga Senati i merr propozimet dhe të gjithë ata që i plotësojnë kushtet, ata i përcjell në këshill drejtues. E Këshilli Drejtues, sipas sekretarit të përgjithshëm të UP-së, Vaxhid Sadriu, ka të drejtë ta pranojë këtë listë, të kthejë atë listë mbrapa, mos me qenë i pajtuar me të e refuzon, pastaj këshilli drejtues e zgjedh rektorin e ri.

Ndonëse, sipas burimeve të gazetës KD-ja kishte bërë zhurmë se i takon kjo dispozitë ligjore Këshillit, faktin se me ligj nuk thuhet i formuar nga këshilli drejtues, komisionin mund ta formojë edhe Senati, KD–ja dhe menaxhmenti i UP-së nuk pritën përgjigje nga MASHT. Ata u pajtuan të premten.

Sekretari Sadriu ka thënë se është marrë vendim që komisioni të formohet nga Senati dhe të ketë për detyrë shqyrtimin e dokumentacionit të kandidatëve për rektor. Ai ka thënë për “Zërin” se konkursi për rektor mund të publikohet të martën, pasi kanë mbetur të shqyrtohen dhe disa pika dhe ky konkurs pritet të kompletohet të hënën.

Të drejtën e konkurrimit do ta kenë, sipas tij kandidatë si brenda ashtu dhe jashtë UP-së. Mirëpo, një kandidat, ai ka sqaruar se për t’i dhënë të drejtën e konkurrimit vetes në mesin e shumë kritereve së pari duhet të plotësojnë kushtin që të jetë profesor i rregullt, asocuar dhe profesor asistent. Konkursi për rektor, që pritet të jetë i hapur rreth tri javë, do të ketë në përmbajtje dhe shumë kushte.

Performanca akademike, mësimdhënie, shkencore do të jetë poentimi i radhës së një kandidati. Po ashtu Sadriu ka thënë se një kandidat duhet të dëshmojë dhe aftësi menaxhuese.

“Mandati i rektorit është zgjatur në katër vjet, ashtu sikurse i prorektorëve”, ka thënë për “Zërin” Sadriu. KD-së mandati i udhëheqjes i ka ngelur sikurse ai i mëparshmi, 3 vjet.

Me ligjin e ri për arsimin e lartë, sipas tij, është bërë me qëllim që KD-ja të mos ketë mandatin e njëjtë me atë të rektorit. Megjithkëtë, kriteret e reja nuk kanë dhënë ndonjë moshë e cila kufizon aplikimin.

Mosha e cila dihet se nuk lejohet mbi të, të konkurrohet, është ajo 65 vjet. Por, nën këtë moshë dhe nëse një kandidat do të pensionohet gjatë mandatit nuk është saktësuar.

Sipas kritereve të reja, një kandidati edhe me 64 vjet i lejohet konkurrimi.