Kalo te lënda

Mustafa: BE-ja nuk duhet të vendosë standarde shtesë për liberalizmin e vizave

Kryetari i LDK-ës, Isa Mustafa është shprehur kundër vendosjes së kritereve shtesë ndaj Kosovës nga BE-ja, rreth liberalizimit të vizave. Ai komentet i bëri sot, në Prishtinë, gjatë një takimi që pati me një delegacion të Partive Popullore Evropiane.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se BE-ja nuk duhet të vendosë standarde shtesë ndaj Kosovës lidhur me liberalizmin e vizave. Ai ka shprehur gatishmërinë e partisë që ai udhëheq për të ndihmuar në plotësimin e kritereve të përcaktuara nga Brukseli zyrtarë.

“ Ne duhet domosdoshmërisht të bëjmë të gjithë që t’i plotësojmë kriteret. Dhe ne si LDK do të japim përkrahjen tonë të plotë. Unë po ashtu shpresoj që BE-ja do të ketë mirëkuptim dhe të mos vendos standarde tjera jashtë atyre të cilat ka vendosur për të gjitha shtetet tjera që kanë kaluar në këtë fazë”, tha Mustafa.

Këto deklarime janë bërë me rastin e anëtarësimit të LDK-ës në grupin e Partive Popullore Evropiane. Një delegacion i këtij grupimi i kryesuar nga nënkryetarja Vortman Koll, ka qëndruar sot në Prishtinë

Zonja Koll me këtë rast tha se partitë politikë ne Kosovë dhe LDK në veçanti, po ndikojnë në zhvillimin dhe forcimin e demokracisë në shoqërinë kosovare. Ajo ka shprehu gatishmërinë e Partive Popullore Evropiane që të ndihmojnë Kosovën, në procesin integrues drejt BE-së.

“Si pjesë e PPE-ve jemi këtu të gatshëm që të përkrahim dhe të forcojmë LDK-ën , përmes fondacioneve dhe përkrahjes sonë të vazhdueshme”, ka thënë Koll.

Partia Popullore Evropiane përfaqëson familjen e partive të qendrës së djathtë, e themeluar në vitin 1976.