Krasniqi viziton SHBA-në
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi do të vizitojë SHBA-në, me ftesë të Komisionit të Kongresit të SHBA-së për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë.
Gjatë kësaj vizite, kryekuvendari Krasniqi do të takohet me John Boehner, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, anëtarët e Komisionit të Kongresit të SHBA-së për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë, kongresistët: Drier, Price, Engel, Schmidt, Peters, Aderholt, Meeks, Smith and Hastings, pastaj me zëvendës-ndihmës sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike, Philip T. Reeker dhe presidentin e NDI-së, Ken Wollack.
Kryetari Krasniqi do të mbajë edhe një ligjëratë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me temën: Shtetndërtimi i Kosovës, njofton Rtk.
Kreu i legjislativit të vendit, Krasniqi, në këtë vizitë do të shoqërohet edhe nga nënkryetari i Kuvendit, Petar Miletic dhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini.
Vizita e kryetarit të Kuvendit në SHBA do të zgjasë nga 17 deri më 22 qershor. /Telegrafi/